Jonathan Moore: Vendimi për dinarin, i gabuar dhe provokim i panevojshëm
Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës, sipas ish-zyrtarit të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Jonathan Moore, ka qenë e gabuar, e pakoordinuar dhe një provokim i panevojshëm.
Komuniteti ndërkombëtar kritikoi Qeverinë e Kosovës, jo për legjitimitetin e rregullores së BQK-së, po për faktin se vendimi u mor në mënyrë të njëanshme, pa konsultime paraprake dhe pa një fazë tranzicioni adekuatë.
Marrë për bazë faktin se Kosova aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, një gjë e tillë nuk mund të arrihet pa një bashkëpunim adekuatë me bashkësinë ndërkombëtare, vlerëson ish-ambasadori i ShBA-së në Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Bosnje e Hercegovinë.
Prandaj për diplomatin e karrierës, Kosovës në këtë fazë i duhet një burrështetas si ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, kur në pyetje janë raportet me Perëndimin.
“Shikoni procesin që Suedia dhe Finlanda sapo kaluan për t’u anëtarësuar në NATO – dhe të dyja këto vende kanë demokraci të mirë-konsoliduar dhe sovrane. Ka anëtarë të BE-së dhe NATO-s që nuk e njohin Kosovën. Për këtë çështje, Kosova nuk është afër anëtarësimit në Kombet e Bashkuara. Kur fillova të punoj për herë të parë me Kosovën mbi 30 vjet më parë, ishte mjeshtëria e Ibrahim Rugovës që solli vëmendjen e botës në Kosovë. Në vitin 2024, Kosova ka nevojë për një burrështetas – jo për mllef”, potencon ai për “Albanian Post”.
I pyetur se çfarë ndikimi do të kenë zgjedhjet në Bashkimin Evropian dhe në SHBA-të në mbarëvajtjen e procesit të dialogut, ish i ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA-ve në Bjellorusi dhe ish-zëvendës-shefi i misionit në ambasadat e SHBA-së në Namibi, Bjellorusi dhe Bosnje e Hercegovinë, potencon se askush në Kosovë nuk duhet të presë që bota t’i zgjidhë problemet e tyre.
Meqë në vlerësimin e tij ajo çfarë duhet të bëjë Kosova është të ndërmarrë hapa pozitivë dhe të tregojë aftësi për të menaxhuar politikat në atë mënyrë për të fituar mbështetje pozitive në këmbim.