Jordani, aleancë me LeBronin, del kundër presidentit Trump
Presidenti i Amerikës, Donald Trump, shpresonte se legjenda e NBA-së, Michael Jordan, do ta mbështeste në “luftën” që i ka shpallur yllit të ri të Lakersit, LeBron James.
Por kreu i Shtëpisë së Bardhë ka marrë një tjetër “shuplakë”, këtë herë nga Jordani, që përmes zëdhënësit të tij për shtyp ka bërë me dije se mbështet “King James” në deklaratat e tij. “Mbështes LeBron. Po bën një punë të jashtëzakonshme për ta mbështetur komunitetin tonë dhe kjo është për t’u vlerësuar”, u shpreh zëdhënësi i Michael Jordan, duke konfirmuar se gjashtë herë kampioni i NBA-së është në krah të yllit të Lakersit. Trumpi e cilësoi James një idiot dhe shtoi se preferonte Jordanin para LeBronin, por duket se, pavarësisht prej lajkave që i ka bërë ikonës së NBA-së, nuk ka mundur ta bëjë atë për vete. Akuzat për racizëm që shumica e sportit amerikan ka ngritur kundër kreut të Shtëpisë së Bardhë kanë bërë që Trumpi të mos ketë respektin e yjeve të sportit dhe ata kanë dalë kundër presidentit të Amerikës.