Josa: E dua titullin me Prishtinën
Trajneri i Prishtinës, Mirel Josa, ishte i ftuar në emisionin ‘Zona Gol’, në “Supersport”, ku foli për përvojën e tij në Kosovë.
Ish-tekniku kampion me Skënderbeun, deklaroi se synon të fitojë edhe me Prishtinën, në Kosovë, ku është ende në lojë për të triumfuar si në kampionat, po ashtu edhe në Digitalb Kupë.
Si ndiheni te Prishtina?
Josa: Është një përvojë mjaft e mirë, të cilën e vlerësoj shumë dhe jam i kënaqur që jam këtu. Normalisht se futbolli i Kosovës ka problemet e veta, por gjithsesi zhvillohet një kampionat shumë interesant.
Duket se ngjyrat bardheblu ju ndjekin pas…
Josa: Po, është e vërtetë, sepse ashtu si te Tirana, edhe Prishtina ka fanellën bardheblu. Gjithsesi unë kam drejtuar edhe skuadra si Skënderbeu e Vllaznia, që kanë ngjyra të tjera.
Në dy takimet e fundit keni marrë fitore vetëm në minutat e fundit të ndeshjes. Duhet të jeni bërë me zemër…
Josa: Në fakt, kemi pasur ndeshje shumë të vështira dhe jo më kot kemi vuajtur për ta marrë fitoren. Veçanërisht ndeshja e fundit në Prizren, kundër Lirisë, më bëri vërtet me zemër, pasi ishte një takim nga i cili prisnim të shënonim, por e dinim se edhe mund të pësonim.
E mendonit në fillim të sezonit se Prishtina dhe Drita ishin skuadrat më të mira?
Josa: Të jem i sinqertë jo, madje as tani nuk jam i këtij mendimi. Këtu ka disa skuadra që janë shumë të mira, por që për një arsye apo për një tjetër, ndoshta edhe për shkak të fatit, gabuan në momente të caktuara dhe mbetën disi më mbrapa në renditje. Por, nuk janë për t’u nënvlerësuar skuadrat si Liria, Trepça ’89 etj.
Jeni përgatitur për ta fituar titullin kampion?
Josa: Kemi punuar shumë që në fillim, me synimin e vetëm ta fitojmë titullin kampion. Unë kam fatin se në Prishtinë punohet në kushte mjaft të mira, ndërsa në fazën përgatitore të dimrit arritëm të realizojmë gjëra mjaft të bukura. Gjithsesi them se jemi penalizuar disi, pasi infrastruktura në Kosovë është problematike dhe në shumë fusha, terreni nuk na ka lejuar të shprehim më të mirën tonë.
Si paraqitet Drita në transfertë?
Josa: Drita ka bërë ndeshje shumë të mira, si në shtëpi, po ashtu edhe në transfertë. Nuk humbet prej shumë javësh, më shumë se 20 mesa kujtoj dhe ka disa lojtarë shumë cilësorë, 2-3 prej të cilëve kanë luajtur edhe në Superligën Shqiptare. Besoj se do të jetë një sfidë e hapur, ku si ne ashtu edhe Drita kemi synimet tona për të fituar. Ata kanë edhe avantazhin e tri pikëve me vete, por kjo nuk na pengon ta provojmë triumfin.
Këtë sezon Prishtina po ndërton stadiumin dhe ka luajtur në Pejë ndeshjet e veta. Mund të themi se ky është një vit zero, ku titulli nuk është domosdoshmëri?
Josa: Nëse ka një gjë që mund ta vlerësoj në Kosovë dhe që nuk e kemi ne në Shqipëri, është se këtu punohet shumë qetë. Ka shumë optimizëm në ambientet e skuadrave dhe për më tepër nuk të ngarkojnë me objektiva e përgjegjësi të parakohshme. Më pëlqen kur gjërat merren me radhë dhe mendon me qetësi edhe për synimet që kërkon të arrish.
Do të donit që finalja e sezonit kundër Dritës të luhet në Prishtinë?
Josa: Dëshira jonë do të ishte të luanim në Prishtinë, jo vetëm se jemi në qytetin tonë, por edhe sepse masat e sigurisë janë më të mira, pasi bëhet fjalë për dy skuadra me tifozë të zjarrtë. Por në pamundësi për ta zgjedhur Prishtinën, ne kemi luajtur të gjitha takimet në Pejë, një qytet që na ka mirëpritur dhe kemi gjetur ngrohtësinë e duhur. Ishte edhe një opsion për të luajtur në Mitrovicë, por unë mendoj se Peja është zgjidhja më e mirë për këtë sfidë, pasi aty kemi luajtur gjithë sezonin dhe jemi përgatitur për lojën në atë terren.
Çfarë ju pengon të luani në Prishtinë?
Josa: Stadiumi këtu është i ri dhe shumë cilësor, por nuk është licencuar ende nga UEFA dhe kjo është pengesa që është shfaqur deri tani. Nuk është luajtur ende asnjë ndeshje testuese, përpara se të luhet një ndeshje zyrtare, ndaj është e vështirë të vendoset që ndeshja me Dritën të luhet aty.
Jeni ambientuar në Prishtinë, apo jeni me mendje diku tjetër?
Josa: Kontrata ime me klubin e Prishtinës përfundon pas finales së Digitalb Kupës dhe më pas do të analizojmë gjithçka, Do të ulem me administratën e klubit dhe do të diskutojmë. Nëse unë jam i kënaqur me atë që më ofrohet dhe ata kanë vlerësim për punën time, atëherë pse mos ta vijojmë ende bashkëpunimin.