Josa: Në Shqipëri futbollistët s’të dëgjojnë, në Kosovë të respektojnë
Mirel Josa vijon punën me skuadrën e Prishtinës në Superligën e Kosovës.
Në 2 ndeshjet e para të luajtura, skuadra bardheblu ka siguruar 2 fitore duke përmbushur të gjithë pritshmëritë.
Në një prononcim për “Radio Kosovën”, trajneri 55-vjeçar ka zbuluar se në Kosovë lojtarët janë më të vëmendshëm dhe më të respektueshëm se në Shqipëri.
“Nëse në Shqipëri u flet për një çerek ore lojtarëve në dhomat e zhveshjes apo edhe më shumë, ata më pas të thonë ‘hajde more çfarë thotë ky’, kurse këtu të dëgjojnë me vëmendje dhe të respektojnë. Shqipëria ka shumë vjet që është pjesë e UEFA-së, kurse Kosova vetëm dy vite. Ecuria juaj ka përqindje shumë të lartë në krahasim me ecurinë e zhvillimit të futbollit shqiptar. Këtu duhet përmirësuar infrastruktura e të gjitha stadiumeve, e cila po rregullohet. Shqipëria ka pasur shumë vjet në tranzicion. Futbollistët nga Kosova kanë ardhur dhe kanë dhënë kontribut duke pasur urë lidhëse Shqipërinë për Evropë”, ka thënë Josa.