Josa, Thaqi dhe Lushtaku, të paprekshmit e Superligës (foto)
Prishtina, Flamurtari dhe Drenica janë skuadrat e vetme që ende nuk kanë bërë ndryshime në shtabet teknike, por gjithçka mund të ndodhë deri në përfundim të këtij kampionati. Analisti i futbollit, Genc Sermaxhaj, ka vlerësuar se ndryshimet në klube kanë efekt të dyanshëm por, sipas tij, trajnerët kur dalin jashtë objektivit të klubit është e rrugës që të japin dorëheqje.
Nuk ishte pritur që trajneri Sadat Pajaziti të largohet nga Gjilani për faktin se synimi i tij ishte të krijojë një skuadër solide, në mënyrë që edicionin e ardhshëm të luftojë për trofe, por të mërkurën klubi nga Anamorava bëri publik lajmin e ndërprerjes së bashkëpunimit me trajnerin nga Tërnoci. Në fakt, klubi i Gjilanit është i nënti që bën ndryshime në shtabin teknik dhe aktualisht vetëm Mirel Josa i Prishtinës, Arsim Thaqi i Flamurtarit dhe Tahir Lushtaku i Drenicës janë ata që po i bëjnë ballë ndarjes me klubet që filluan kampionatin 2018/2019.Analisti i futbollit, Genc Sermaxhaj, ka thënë të enjten për “Epokën e re” se ndryshimet nëpër klube i kanë anët pozitive dhe negative.
Ish-lojtari i disa klubeve në Kosovë ka pohuar se nëse një trajner është jashtë objektivave të klubit, atëherë dorëheqja është veprimi më i duhur nga ana e tij. “Ndryshimet në futboll nganjëherë janë të mira sepse sjellin freski te futbollistët, por nganjëherë edhe nuk janë të qëlluara varësisht prej objektivave të klubeve. Ne nuk mund të dimë se çka mendojnë kryesit e klubeve, por mund të bëjmë vlerësime nga këndvështrimet tona për mënyrën se si ekipet e tyre luajnë dhe çfarë mund të sjellin ndryshimet në ato ekipe. Nëse ndonjë nga trajnerët nuk është në objektivat e klubit, sigurisht se duhet dhënë dorëheqje, por duhet të kemi kujdes se rezultatet pozitive nuk varen vetëm nga trajneri”, ka thënë Sermaxhaj.
Tahir Lushtaku dhe Arsim Thaqi nuk pritet të largohen nga skuadrat kuqezi të Skenderajt dhe Prishtinës, kurse më i rrezikuar mund të jetë Mirel Josa i Prishtinës. Skuadra “bardhekaltër” ka konfirmuar muaj më parë se Josa do të mbetet trajner i skuadrës deri në fund të kampionatit, por eliminimi nga Kupa dhe humbja e pozitës së parë në kampionat mund të ndikojë edhe në largimin e tij. Sermaxhaj ka shprehur mendimin se Mirel Josa me Prishtinën është brenda objektivit të klubit dhe se tash për tash nuk mund të parashikohet e ardhmja e tij. “Askush nuk mund të thotë se Prishtina e ka humbur titullin, ose Josa nuk është në objektivin e tij dhe të klubit. Ka shumë lojë deri në fund dhe nuk është e drejtë të themi se a do të dalë apo jo kampion”, ka shtuar Sermaxhaj.