Josep Borrell: Çështja e targave, më e vështirë për t’u zgjidhur
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, thotë se çështja e targave të makinave në Kosovë duhet të zgjidhet duke kuptuar pozicionet e të dyja vendeve: Kosovës dhe Serbisë.
“Jam duke nxitur diçka që mund ta pranojnë të dyja palët”, thotë Borrell për Radion Evropa e Lirë.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët që vozisin makina me targa që i lëshon Serbia, t’i riregjistrojnë ato në RKS – Republika e Kosovës.
Vendimi, i paraparë të niste së zbatuari më 1 gusht, ka shkaktuar tensione në veri të Kosovës dhe është shtyrë për 1 shtator.
Çështja tjetër që ka shkaktuar tensione – ajo e dokumenteve të udhëtimit – tashmë është zgjidhur.
Borrell në këtë intervistë flet edhe për mundësinë e pezullimit të lehtësimit të vizave për rusët, për sanksionet e reja të mundshme kundër Rusisë, për një mision këshillues ushtarak të BE-së në Ukrainë e çështje të tjera.
Zoti Borrell, a mendoni se ka gjasa që, në të ardhmen e afërt, të ketë marrëveshje për të pezulluar lehtësimin e vizave [të BE-së] për Rusinë. Tashmë ka një pezullim të pjesshëm. A mund të ketë një të plotë?
Josep Borrell: Të shohim se çfarë vendosin ministrat gjatë takimeve në Pragë, sot [29 gusht], nesër dhe pasnesër. Ekziston një pezullim i pjesshëm tashmë. Mendoj se do të ketë një hap tjetër më tej. Por, nuk mund ta them nëse do të jetë [i plotë].
Ju do të favorizonit pezullimin e plotë?
Josep Borrell: Nuk do të thosha se asnjë rus nuk mund të shkojë kurrë në Evropë, për çfarëdo arsyeje. Por, u takon ministrave të vendosin.
Por, për lehtësimin e vizave, sepse kjo është diçka ndryshe… A do të ishit në favor të pezullimit të lehtësimit?
Josep Borrell: Varet nga mënyra se si e shikoni këtë.
Shohim që ka një lloj përçarjeje në Evropë për çështjen e vizave. Disa vende, si Baltiku, Finlanda, kanë ndaluar lëshimin e vizave. Të tjerat janë më ngurruese. Si e shihni këtë? Si mund të arrihet këtu një kompromis evropian?
Josep Borrell: Mendoj se do të kemi të bëjmë me modifikimin e procesit të lehtësimit të vizave, jo thjesht heqjen e një pjese tjetër të tij, por modifikimin e strukturës së lehtësimit të vizave, e, më pas, marrjen e disa masave specifike për njerëz të caktuar. Mendoj se duhet të jemi më përzgjedhës. Jo të gjithë rusët të ndalohen.
Shumë njerëz duan të largohen nga Rusia. Më shumë se 300.000 janë larguar që nga fillimi i luftës [në Ukrainë, më 24 shkurt]. Dhe, shumica prej tyre janë njerëz profesionistë, me arsimim të lartë, që nuk duan të qëndrojnë më në Rusi. Ata nuk duan të shkojnë në luftë. Ata nuk e mbështesin luftën. Ata nuk duan të vazhdojnë të jetojnë nën regjimin e [presidentit rus, Vladimir] Putin dhe largohen. Pra, nuk mendoj se duhet t’ua mbyllim derën këtyre njerëzve.
Cilat kategori do të donit t’i vinit në shënjestër?
Josep Borrell: Çdo shtet anëtar do të bëjë një propozim. Por, sigurisht, përveç rasteve humanitare, atyre me arsye familjare, mendoj se duhet të kemi vëmendjen te studentët, te njerëzit me të cilët duam të jemi në kontakt. Unë mendoj se shoqëria civile ruse nuk duhet të shkëputet nga Evropa. Është mirë për ne dhe ata që të vazhdojnë të jenë në kontakt.
Duke shikuar kah paketat e ardhshme të sanksioneve, nuk ka mbetur edhe shumë për t’u sanksionuar tani. Është gazi, nafta e mbetur, energjia bërthamore. A mendoni se BE-ja ka gjasa ta shënjestrojë këtë sektor, në kohën kur çmimet e energjisë janë në kulm?
Josep Borrell: Sigurisht që çmimet e energjisë janë një problem i madh për evropianët, por për këtë rritje çmimesh ka shumë arsye, nuk janë vetëm masat kufizuese për energjinë që ne kemi importuar nga Rusia dhe masat kufizuese nga ana ruse. Në rastin e qymyrit dhe naftës, jemi ne ata që kemi thënë se nuk duam të presim. Në rastin e gazit, përballemi me një situatë, në të cilën do të jetë Putin ai që do të thotë: nuk duam ta shesim atë.
Por, përveç këtyre, ka shumë arsye të tjera, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me situatën në Ukrainë. Thatësira, prodhimi hidro është shumë i ulët, centralet bërthamore në Francë punojnë me 40% të kapacitetit të tyre, për shkak të problemeve teknike. Dhe, të gjitha këto së bashku shkaktojnë rritje të madhe të çmimeve. Pastaj, është [edhe] financimi i tregjeve dhe spekulimet… pritjet financiare bëjnë që çmimet të rriten.
A mund të përjashtohen sanksionet e reja këtë dimër? A kanë marrë fund sanksionet tani për tani?
Josep Borrell: Jo, nuk kanë marrë fund. E dini, u takon shteteve anëtare të bëjnë më shumë propozime në tryezë. Kjo paketë e sanksioneve është paketa më gjithëpërfshirëse, më e fuqishme që kemi miratuar ndonjëherë dhe shënjestron sektorët kritikë të ekonomisë ruse dhe sektorët teknologjikë. Rusia varet nga teknologjia e nivelit të lartë – më shumë se 40% nga evropianët. Fushat e reja të naftës dhe gazit nuk do të mund të zhvillohen pa mbështetjen tonë teknike.
Por, kjo nuk i ka ndryshuar llogaritjet e Putinit kur bëhet fjalë për përfundimin e luftës.
Josep Borrell: Epo, unë shoh që llogaritjet e Putinit kanë qenë krejtësisht të gabuara. Unë nuk mendoj se Putin ka pritur që gjashtë muaj pas fillimit të luftës, ushtria ruse të jetë në situatën ku është. Ofensiva për të marrë Kievin ka dështuar plotësisht. Kështu që, unë mendoj se llogaritja e Putinit ka qenë një gabim i madh.
Putin ka gabuar duke besuar se Perëndimi nuk do të jetë i bashkuar, nuk do ta mbështesë Ukrainën. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën aq sa është e nevojshme. Ai, gjithashtu, ka qenë shumë, shumë keq i informuar për kapacitetin e rezistencës së ushtrisë dhe shoqërisë ukrainase. Pra, Putin ka bërë një gabim të madh.
Mund të ketë një marrëveshje për një mision këshillues ushtarak të BE-së në Ukrainë. Mund të na thoni pak më shumë për këtë? Si do të duket, ku do të vendoset?
Josep Borrell: Ne kemi folur për këtë mision me muaj të tërë, edhe para luftës, kur njerëzit kanë menduar se kjo është e mundshme. Dhe, neve na është dashur ta mbështesim ushtrinë ukrainase. Disa vende anëtare, kryesisht ato baltike dhe Polonia, kanë kërkuar nga ne, kanë kërkuar nga unë si përgjegjës për këtë lloj të aktiviteteve, që të paraqes një plan për këtë mision stërvitor të ushtrisë ukrainase.
Gjërat janë vonuar, sepse nuk ka pasur marrëveshje dhe njerëzit nuk kanë qenë të bindur. Tani kemi luftë dhe [situata] është: tani ose kurrë. Ne nuk mund të vazhdojmë të diskutojmë për diçka që ka qenë në tryezë me muaj të tërë, ndërkohë që lufta vazhdon. Pra, nëse duam ta kemi, duhet ta bëjmë tani. Të gjitha shtetet e tjera po bëjnë këtë, Mbretëria e Bashkuar po e bën këtë. Është vetëm propozimi im, jo vendimi im.
Sa i madh do të ishte?
Josep Borrell: Varet. Varet se çfarë lloj objektivi kemi. Nuk mendoj se ushtria ukrainase ka nevojë t’i trajnojë të dhjetëra mijëra ushtarët. Së pari, ata duhet të trajnohen për përdorimin e armëve që ne u ofrojmë. Por, kjo tashmë është bërë nga shtete të ndryshme anëtare që ofrojnë armë; ato ofrojnë edhe trajnime për përdorimin e tyre. Unë mendoj më shumë për trajnime të kualifikuara, nga pikëpamja e kapacitetit logjistik, kapacitetit teknologjik, kapacitetit organizativ. Ushtria e Ukrainës nuk është si ushtria e Malit apo e Mozambikut, ku duhet të fillosh nga baza. Gjërat bazike nuk janë të nevojshme. Po flasim për diçka më të fuqishme.
Të ndalemi te Kosova dhe Serbia. Në fundjavë, ato kanë arritur një marrëveshje të rëndësishme [për dokumentet e udhëtimit], por është edhe një çështje tjetër që mbetet për t’u zgjidhur: targat e makinave. Ka pasur propozime që targat të bëhen neutrale ndaj statusit [të Kosovës]. Si do ta bindnit kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ta pranojë këtë, pasi ky propozim shihet si minim i sovranitetit të Kosovës?
Josep Borrell: Ju e dini, në rolin tim, unë duhet të përpiqem të kuptoj çdo pozicion. Pozicionet e serbëve dhe të kosovarëve. Çfarë qëndron pas kësaj çështjeje të identitetit, të qenët në një shtet, të qenët komb, të mos njihet nga shumë vende të botës, edhe brenda Bashkimit Evropian… E kemi zgjidhur problemin e kartave të identitetit dhe le të themi pasaportës, lëvizjes së lirë të njerëzve. Çështja e targave është më e vështirë për t’u zgjidhur, sepse nuk është vetëm dikush që lëviz, është një pronë që mund të shitet dhe të blihet. Por, unë jam optimist.
Kemi një periudhë dymujore [për ndërrimin e targave]. Nuk është diçka që do të ndodhë nesër. Kurti ka pranuar procesin rreth dymujor, për të shmangur çdo situatë që mund të krijojë më shumë rrezik.
Por, rruga kryesore për ju janë targat neutrale ndaj statusit. Po vazhdoni të ndiqni këtë?
Josep Borrell: Jam duke nxitur diçka që mund ta pranojnë të dyja palët.
A mendoni se mund ta pranojnë këtë [propozimin për targa neutrale]?
Josep Borrell: Të shohim.
Dhe është Irani… ka lëvizje drejt një lloj marrëveshjeje [për çështjen bërthamore të Iranit]. Në një skenar hipotetik, me marrëveshje, a mendoni se mund ta sjellim energjinë iraniane në BE këtë dimër?
Josep Borrell: Do të ishte shumë mirë për ne. Mendoj se kjo marrëveshje do të sillte në treg 1 milion fuçi në ditë, ndoshta më shumë se kaq. Iranianët po e shesin naftën e tyre në Kinë dhe do të ishin shumë të lumtur të dilnin në tregjet ndërkombëtare, me një çmim më të mirë. Pra, për ne, në kohën kur duam ta heqim qafe naftën ruse, është mirë të kemi burime të tjera nafte që mund ta balancojnë tregun.
A mendoni se kjo mund të ndodhë këtë dimër?
Josep Borrell: Nuk është aq e lehtë. Por, së pari, më duhet t’i bëj hapat e fundit në marrëveshje. Nuk jemi ende atje./REL