Joseph: Bideni ta bindë Ukrainën ta njohë pavarësinë e Kosovës
Njohësi i Ballkanit, Edward P. Joseph, vlerëson se është koha që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ta inkurajojë Ukrainën të njohë pavarësinë e Kosovës.
Bideni do të jetë për vizitë në Evropë, për Samitin e NATO-s që do të mbahet në Vilnius të Lituanisë.
Sipas Joseph, në këtë samit duhet të shfrytëzohet mundësia që Bideni ta shtyjë Ukrainën ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Biden e njeh mirë historinë e fundit të Ballkanit. Ai dhe ekipi i tij duhet të mbajnë një perspektivë të gjerë ndërsa diskutojnë komunikatën përfundimtare të Vilniu. Ndër të tjera, ata duhet ta inkurajojnë Ukrainën që ta njeh Kosovën”, shkroi Joseph në rrjetin social Twitter.
“NATO do të mblidhet në Ukrainë dhe do të hedh vështrimin nga Ukraina në Ballkanin e trazuar. Aleanca duhet të mbajë disa pika në perspektivë, mbi të gjitha, përgjegjësinë e pashmangshme të NATO-s”.
Në këtë Samit do të diskutohet për luftën ruso-ukrainase dhe për rrugën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Temë tjetër pritet të jetë edhe pranimi i Suedisë në NATO, që aktualisht është në pritje të ratifikimit nga Hungaria dhe Turqia.