Joseph: Çështja e targave dhe dokumenteve serbe është e zgjidhshme
Edhe pas disa orësh negociata, Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian nuk arritën marrëveshje për targat dhe dokumentet serbe.
Mirëpo profesori Edward P. Joseph nga Universiteti Johns Hopkins në Uashington, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në aspektin teknik, Kosova dhe Serbia mund të arrijnë shpejt marrëveshje për këto çështje.
Sipas tij, mjafton të ketë vullnet politik, pasi këto tema nuk janë të reja për palët.
Ndonëse nuk ka dashur të komentojë se si mund të duket një marrëveshje mes dy vendeve, ai ka thënë se është i bindur që janë bërë një mori propozimesh në takimin e 18 gushtit.
“Kjo çështje është plotësisht e zgjidhshme, dhe se nuk duhet të ketë dyshim në të. Çështje e targave të makinave ka qenë në agjendë për kohë të gjatë, andaj edhe mund të gjendet zgjidhja, me vullnetin e mirë të të dyja palëve”.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë në një konferencë për media se ndonëse nuk është arritur marrëveshje, negociatat do të vazhdojnë.
I pyetur se kush mund të përballet me më shumë presion në negociatat e ardhshme, Joseph ka thënë se krejt kjo do të varet nga propozimet.
“Varet shumë se çfarë propozime ekzistojnë në tavolinë. Nëse njëra palë ka bërë propozim konstruktiv dhe pala tjetër nuk është përgjigjur, atëherë kësaj të fundit do t’i bëhet më shumë presion, dhe me të drejtë. Me vullnetin e mirë të Serbisë për të jetuar me Kosovën si fqinje, dhe me vullnetin e mirë të Kosovës për të jetuar me Serbinë si fqinje, kjo çështje mund të zgjidhet. Nuk ka dyshim këtu”.
Ai ka ritheksuar deklaratat e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, se hapi i Kosovës për zbatim të vendimeve për targat dhe dokumentet serbe është në linjë më marrëveshjet e Brukselit.
“Mund të them se ambasadori amerikan në Kosovë ka thënë se qëndrimi i Kosovës për dokumentet, është i mbështetshëm, dhe është në përputhje me atë që është arritur në Bruksel kohë më parë”.
Ndonëse Joseph e sheh këtë çështje si shpejt të zgjidhshme, ai vë theksin te retorika e përdorur nga liderët e Kosovës dhe Serbisë ditëve të fundit.
“Retorika e presidentit Vuçiq për likuidimin e serbëve është përtej çdo niveli të pranueshëm. Një gjuhë e tillë është përdorur në kohë luftërash, sidomos në Bosnje-Hercegovinë, është përdorur nga serbët për të arsyetuar spastrimin etnik. Në anën tjetër në Kosovë opozita po e kritikon kryeministrin Kurti se edhe ai po bën diçka të tillë. Por shtrohet pyetja, a po e kritikon dikush Vuçiqin në Serbi për gjuhën që po përdor?”