Joseph: Marrëdhëniet Kosovë-ShBA në pikën më të ulët, Qeveria e Kosovës po përqëndrohet në interesa politike
Eksperti amerikan, Edward Joseph ka kërkuar nga udhëheqësit e Kosovës që të heqin dorë nga politikat përçarëse, duke thënë se çështja e dinarit ishte gabim trashanik dhe se aktualisht, vendi është në pikën më të ulët në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Joseph në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ka thënë se çështja e dinarit ishte një “fiasko e plotë”:
“Qeveria e Kosovës duhet të përqendrohet në mbrojtjen e interesave strategjike të Kosovës, në avancimin e tyre, dhe jo te disa interesa politike që përçajnë dhe polarizojnë shoqërinë dhe krijojnë një klimë populiste, duke përkeqësuar marrëdhëniet me serbët e Kosovës dhe shtuar tensionet me ta. Është qasje plotësisht e gabuar. Çështja e dinarit ishte një gabim trashanik. Fiasko e plotë. Ka edhe veprime tjera provokuese…dhe duhet të marrin fund. Këshilli i Evropës është një mundësi e rëndësishme dhe Kosova nuk duhet ta humbasë atë”, ka thënë ai.
Duke folur për marrëdhëniet Kosovë-ShBA, ai ka thënë se ato janë në pikën më të ulët, e madje, duke thënë se të njëjtat po trajtohen në një formë për të fituar pikë, “gjoja nuk kemi nevojë t’i dëgjojmë ShBA-të”.
“Kjo është pika më e ulët në marrëdhëniet (ndërmjet dy vendeve). Unë kam qenë i angazhuar në Ballkan që nga viti 1999, kur menaxhoja kampet e refugjatëve në Stankovec… Kemi punuar shumë dhe e dimë sa e vështirë ishte. Marrëdhëniet ShBA-Kosovë nuk janë vetëm marrëdhënie teknike politike, janë një lidhje e thellë që vazhdon të ketë pasoja politike. Putini dhe Xi Jinping-u ende flasin për vitin 1999 dhe ndërhyrjen e NATO-s, nuk e kanë harruar. Ishte një hap i madh që Shtetet e Bashkuara bënë për të ndërhyrë. Dhe të shohësh këto marrëdhënie të trajtohen në një formë kaq të shkujdeshme për të fituar ca pikë se gjoja nuk kemi më nevojë t’i dëgjojmë Shtetet e Bashkuara. Përse? ShBA-ja nuk janë diktator i tipit të Rusisë që po mundohet të minojë sovranitetin e Kosovës. Shtetet e Bashkuara janë përkrahëse të Kosovës. Nuk është në interesin e Kosovës. Në këtë botë të ndërlikuar dhe të rrezikshme, Kosovës i duhen miq të fuqishëm dhe ata duhet respektuar”, ka thënë Joseph.
Më tutje, eksperti amerikan ka theksuar se qeveria duhet të bashkëpunojë me komunitetin serb, pasi sipas tij, nga kjo do të përfitonin të gjithë përveç Aleksandër Vuçiq.
“Qeveria dhe Kryeministri Kurti kanë rastin t’u tregojë të gjithëve, jo përmes fjalëve, por përmes veprave, se banorët serbë konsiderohen si qytetarë të Kosovës, të cilët kanë shqetësime legjitime…Njëri prej hapave kryesorë dhe shumë të thjeshtë është të bashkëpunosh me ta, t’i kthesh serbët e Kosovës në radhët e Policisë së Kosovës. Ky do të ishte një hap i madh prej të cilit do të përfitonin të gjithë. Të gjithë përveç Aleksandër Vuçiçit”, ka thënë Joseph, duke shtuar se Qeveria e Kosovës duhet ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit të hartuar nga ShBA-ja dhe mbështetur nga BE-ja në Gjykatën Kushtetuese.
“Të jemi konkretë. Qeveria e Kosovës duhet ta dërgojë projekt-statutin e hartuar nga Shtetet e Bashkuara dhe të mbështetur nga BE-ja dhe vendet e Quintit në Gjykatën Kushtetuese. Kjo nuk do të thotë se duhet ta zbatojë apo të pajtohet me të. Është thjesht proces përmes të cilit bën një ushtrim te sovraniteti duke ia lënë Gjykatës Kushtetuese ta shqyrtojë, jo qeverisë… Respektimi i sovranitetit dhe autoritetit të Kosovës është që të zbatohet Kushtetuta dhe t’i lejohet Gjykatës Kushtetuese të vendosë… Duhet parë interesi strategjik i Kosovës dhe ai është anëtarësimi në Këshillin e Evropës… Është një mundësi që nuk duhet humbur”, ka thënë Joseph.