Joseph: Marrëveshja e Uashingtonit nuk ka sjell relaksim të raporteve Kosovë-Serbi
Profesor në Universitetin John Hopkins, Edward P. Joseph, ka folur për marrëdhëniet dhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se deri tani nuk është vërejtur ndonjë ndryshim në raportet e Prishtinës dhe Beogradit pas nënshkrimit të marrëveshjes ekonomike. “Së pari, megjithëse na u premtua që përqendrimi në ekonomi do të ‘relaksonte atmosferën’, në të vërtetë ajo u bë toksike. Ministri serb i Mbrojtjes përdori një fjalë jashtëzakonisht fyese për shqiptarët në komunikimin zyrtar të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila provokoi dhe pati reagime nga Prishtina dhe Tirana. Ministri serb i Punëve të Jashtme tha : ‘Çfarë do të bëjmë me serbët që tregojnë se ku janë varrosur shqiptarët në të gjithë Serbinë?’. Unë ju pyes , a tingëllon kjo si një atmosferë e relaksuar që na u premtua pas ‘përparimit historik’ në Uashington?”, ka deklaruar ai.
Ai ka vlerësuar se ndikimet e deklaratave të zyrtarëve serbe shkojnë përtej Kosovës. “Implikimet shkojnë përtej Kosovës, në Bosnjë. Atje u shfaq në një letër nga kreu i organizatës boshnjake që merret me Srebrenicën dhe Zepën drejtuar zyrtarëve të gjykatës së Hagës në të cilën thuhej: Ivica Daçiq vendos në shënjestër kokat e të gjithë atyre në Serbi të cilët do të donin të flisnin për ekzistencën e varrezave masive të shqiptarëve në territorin e Serbisë”, ka deklaruar ai.
Sa i përket Asociacionit të komunave serbe dhe deklaratave të kryeministrit Avdullah Hoti se nuk dëshiron që në marrëveshjen përfundimtare të jetë ajo e përfshirë, Joseph ka deklaruar se në çdo negociatë është thelbësore që të shmanget dështimi. “Kjo është një çështje më shumë për organizatorët e dialogut se sa për secilën palë të ekipeve. Në çdo negociatë, është thelbësore të shmanget dështimi, për shembull, kur njëra palë këmbëngul për një çështje dhe tjetra refuzon. Kjo arrihet nëse ka një rend të diskutimit të problemeve”, ka deklaruar ai.
Ai po ashtu ka folur edhe për deklaratat e Joseph Borrell i cili ka thënë se shumë shpejt do të përfundojë marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi, duke thënë se nëse kjo do të ndodh është e mrekullueshme.
“Do të ishte e mrekullueshme nëse kjo do të ishte e vërtetë, por çka e tregon se kjo do të ndodh? Le ta krahasojmë këtë situatë me negociatat e fundit midis Greqisë dhe Maqedonisë Veriore. Ne kemi parë që të dy palët ndërmorën hapa qëllimisht dhe me përgjegjësi për të lehtësuar retorikën. Kryeministri Zaev ndryshoi emrin e autostradës dhe aeroportit pikërisht për të ndihmuar në negociatat, të cilat e detyryan Greqinë, të njoh e identitetin e Maqedonisë së Veriut dhe gjuhën maqedonase”, është shprehur ai në një intervistë për “Kosovonline”.