Joseph: Serbët janë afër heqjes dorë nga jeta në Kosovë, kjo i konvenon Serbisë dhe Rusisë për ta minuar rendin perëndimor
Edward Joseph, ligjërues në Shkollën për Studime të Avancuara në “Johns Hopkins” në Uashington, ka thënë se serbët e Kosovës janë “afër heqjes dorë nga jeta në Kosovë” pas “fiaskos” në Banjskë, një rezultat që sipas tij, do t’u shkonte përshtati vetëm planeve serbe dhe ruse për të minuar rendin perëndimor e multietnik në rajonin e trazuar të Ballkanit Perëndimor.
Në një artikull autorial të botuar në revistën amerikane “Foreign Policy” të martën, ai ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për shkak të “lëvizjeve provokuese” në veri të territorit kosovar të banuar me shumicë serbe, duke thënë se “veprimet e njëanshme” të Kurtit rrezikojnë të “zhbëjnë” kushtetutën e Kosovës e cila garanton një vend të sigurt për pakicën serbe. “Kurti, pavarësisht sanksioneve të ShBA-së dhe BE-së, ka vazhduar ‘instrumentalizimin’ e policisë së Kosovës në veri pas vendimit katastrofik të besnikëve të Serbisë për t’i larguar serbët nga forca policore dhe institucionet e tjera në nëntor 2022”, ka theksuar Joseph, ndërsa ka shkruar rreth nevojës për ridefinimin e politikës së jashtme amerikane nën administratën e re.
“Kurti vazhdon populizmin e papërgjegjshëm për një arsye kundërintuitive: Qytetarët e Kosovës, dhe shumë në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi e shohin Kurtin figurën e vetme që i kundërvihet Serbisë, ndaj së cilës nuk ka pasur asnjë pasojë për veprimet apo mosveprimet që çuan në konfrontim të dhunshëm me paqeruajtësit e NATO-s”, ka shtuar mes tjerash Joseph.
Ndryshe, ditëve të fundit kanë qarkullar “informacione” se Serbia është duke planifikuar zhvendosjen e serbëve të Kosovës, posaçërisht atyre që përbëjnë shumicën në veri të vendit, në rajonin e Sanxhakut. Agon Maliqi, analist i politikës ballkanike e aktivist i shoqërisë civile, ka argumentuar së fundi se Qeveria e Kosovës rrezikon të bjerë në “grackën” e Serbisë dhe Rusisë.