Joshua: Do të rikthehem kampion i botës
Boksieri britanik Anthony Joshua (22 fitore dhe 1 humbje në karrierë) premtoi se do të rikthehet kampion i botës në peshat e rënda në boks, pasi do ta kërkojë revanshin ndaj meksikanit Andy Ruiz Jr (33 fitore e 1 humbje në karrierë).
Kjo sfidë e dytë mes tyre do të zhvillohet në nëntor ose dhjetor të këtij viti, por ende nuk është përcaktuar data e saktë dhe vendi. “Jam gati për ta zhvilluar revanshin dhe jo vetëm kaq, por edhe të rikthehem kampion i botës. Dështimi i parë tashmë është lënë pas krahëve. Nuk jam nga ata që tërhiqem përballë vështirësisë së parë. E ndiej se tani jam sërish gati, ndaj e kërkoj me çdo kusht këtë revansh. Ambicia ime në boks për momentin është të rikthehem sërish kampion bote”, ka thënë Joshua.
Sfida e parë mes dy boksierëve u zhvillua në Nju Jork më 1 qershor, me Ruiz që triumfoi me “KO teknik” në raundin e shtatë, duke rrëmbyer titujt kampionë bote në peshën e rëndë në kategoritë IBF, WBA dhe WBO. Kjo ishte sfida e parë e Joshuas në Nju Jork, ku pësoi edhe humbjen e parë në karrierë dhe kërkon që revanshin ta zhvillojë në Britaninë e Madhe.