Joshua mbron titujt kampion më 25 shtator
Boksieri britanik Anthony Joshua, kampion bote në peshën e rëndë (IBF, WBA, WBO), do të mbrojë titujt më 25 shtator në stadiumin e Tottenham (Londër).
Përballë 31-vjeçarit do të jetë ukrainasi Oleksandr Usyk, ende i pamposhtur në karrierën e tij, ish-kampion bote në peshën “cruiserweight” (pesha deri 93 kg).
Lajmi është zyrtarizuar nga vetë Joshua përmes një postimi në rrjetet sociale, duke gjetur kështu rival pas anulimit të sfidës me Tyson Fury.
Përballë njëri-tjetrit do të jenë kështu dy kampionë olimpike, me Usyk që për herë të parë do të ketë mundësi të bëhet kampion bote në një divizion tjetër. 34-vjeçari Usyk (18 fitore, 0 humbje) është mandatuar nga WBO për të dueluar ndaj Joshuas. “Kam një rival të fortë, po aq i fortë sa edhe Fury. Duhet të jem shumë serioz në përgatitjet dhe në ring. Kjo është sfida që më duhej”, ka thënë Joshua. Sfida pritet të zhvillohet përballë 60 mijë spektatorëve.