Joshua: Sfida me Wilderin zhvillohet brenda vitit
Boksieri britanik Anthony Joshua është 95 % i bindur se brenda këtij viti do të zhvillohet dueli që do t’i unifikojë titujt kampionë bote në peshat e rënda mes tij dhe amerikanit Deontay Wilder.
“Me 95 % kjo përballje do të zhvillohet këtë vit, jam i bindur për këtë”, ka thënë Joshua, që mban titujt e kategorive IBF, WBA dhe WBO, ndërsa Wilderi mban titullin e kategorisë WBC.
“Unë jam shumë i interesuar që kjo sfidë të zhvillohet këtë vit. Mjaft u morëm me bisedime për marrëveshjen financiare, ndaj le t’i lëmë gjërat mënjanë dhe ta arrijmë marrëveshjen. Por, Wilderi nuk mund të më vendosë kushte, pasi unë nuk kam ardhur për t’i shitur titujt kampionë. Le ta ndërtojmë këtë sfidë mbi baza reale. Unë dua që kjo përballje fillimisht të zhvillohet në Britaninë e Madhe, më pas në Amerikë. Kjo sfidë mund të zhvillohet këtë vit”, ka deklaruar Anthony Joshua.