Jovanoviq kritikon rezolutat për gjenocidin serb: Shpesh po më duket që Srebrenica më shumë po abuzohet sesa kuptohet
Kryetari i Partisë Liberal-Demokrate të Serbisë, Cedomir Jovanoviq, ka komentuar miratimin e rezolutës që dënon gjenocidin serb në Srebrenicë nga Kuvendi i Kosovës, si dhe nga Kuvendi i Malit të Zi.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar me 89 vota për, rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë. Një rezolutë e njëjtë është votuar edhe në Kuvendin e Malit të Zi.
Kreu i LDP-së serbe komentoi miratimin e fundit të një rezolute që dënon gjenocidin serb në Srebrenicë, nga Kosova si dhe Mal të Zi. Ai thotë se nuk mjafton vetëm të kujtohet kjo ngjarje vetëm përpara përvjetorëve, derisa lë të kuptohet se rezolutat i sheh si abuzim.
“Nuk mjafton të kujtohet Srebrenica para një përvjetori tjetër të përgjakshëm. Shpesh më duket se Srebrenica po abuzohet më shumë sesa kuptohet”, ka thënë ai.
“Dëshmorët e Srebrenicës nuk kanë nevojë as që të gjunjëzohemi pas kaq shumë vitesh. Ata kanë nevojë për ndershmëri, mirëkuptim, respekt … Gjithçka që nuk është aty dhe nuk mund të fshihet në disa fjali në një rezolutë ose një vizitë të rastit në Potocari”, tha Jovanoviq.
Në Srebrenicë për përvjetor është konfirmuar tashmë pjesëmarrja nga Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq dhe Zëvendës Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq. Jovanoviq po ashtu do të jetë i pranishëm në Srebrenicë. Ai ka thënë se shkuarja në Srebrenicë më 11 gusht është obligim.