Jovanoviq: Qeveria serbe s’guxon të bëjë referendum për Kosovën, i ka humbur kompetencat atje
Gazetarja dhe redaktorja e revistës javore serbe “Novi Magazin”, Jelka Jovanoviq, ka thënë se Serbia “i ka humbur kompetencat” që i ka pasur në Kosovë dhe se asnjë qeveri në Beograd, përfshirë të tanishmen, nuk do ta ketë guximin të organizojë referendum me pyetjen: “A jeni pro që Kosova të mos jetë pjesë integrale e Serbisë?”.
Në lidhje me një referendum të tillë, ajo ka thënë se do të ishte vendimtare se si do të formulohej pyetja.
Ajo ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve, “FoNet” se Serbia e ka të vështirë të hyjë në Bashkimin Evropian me këtë politikë ndaj Kosovës.
“Një ditë, nëse integrimi evropian vazhdon, edhe Kosova edhe Serbia do të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, kështu që nuk ka zgjidhje”.
“Kosova, pavarësisht nëse dëshiron ta pranojë apo jo Serbia, tashmë është në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke mbetur pak pas Serbisë, por në atë rrugë do ta arrijë lehtësisht hapin me Serbinë”, ka thënë ajo.
Jovanoviq ka parashikuar se Kosova, do apo nuk dëshiron Serbia, përfundimisht do të bëhet anëtare e plotë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe shpjegon se kushtet për këtë do të plotësohen në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare detyruese.
Ajo ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe gjithnjë e më shumë po e humbet rëndësinë e saj dhe në momentin që do të formohet “nuk do ta ketë as peshën që duhet ta kishte sipas Marrëveshjes së Brukselit”.
“Fakti është se Prishtina nuk e përmbushi kushtin bazë për vazhdimin e dialogut, që është formimi i Asociacionit të Komunave Serbe. Është gjithashtu e vërtetë se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por edhe Kushtetuta e Kosovës nuk është në përputhje me Rezolutën 1244, kështu që këto janë gjëra që duhet të korrigjohen menjëherë”, ka thënë Jovanoviq.
Ajo ka vlerësuar se është e nevojshme të organizohet një konferencë ndërkombëtare, por asaj t’i paraprijë një dialog i brendshëm, në të cilin do të merrte pjesë edhe komuniteti serb nga veriu i Kosovës.