JU DO TË SHIHNI PORTRETE KU VDEKJA NUK ËSHTË MË DATË
(Tekst për ekspozitën me portrete të piktorit Emrush Xhemajli që po qëndron e hapur në Muzeun e Kosovës).
Shkruan: Elvis Hoxha
Portrete. Portrete të moshave adulte, të pjekura. Mese jete. Dhe mesi i jetës emërton një kohë të gjatë. Këtu kemi vetëm portrete. Siç duket fotografia nuk mjafton. Fotografia është vetëm gjurmë, gjurmë e ekzistencës. Të gjithë kritikët dhe teoricienët e estetikës janë tronditur nga fuqia e fotografisë për të qenë gjurmë e ekzistencës. Ama, vetëm gjurmë e ekzistencës.
Shohim këta portrete, ndërsa i njohim modelet. Ata janë njerëz me ekzistenca të ndërprera. Duke ditur diçka të tillë, ne mund të kuptojmë zgjedhjen e piktorit: ai ka zgjedhur të bëjë punën që rëndom i autorizohet fotografisë. Për shumicën e tyre ne dimë që ata janë vrarë. Për shumicën e tyre ne dimë dhe që piktori i ka njohur nga afër. Ai u ka bërë portretet në telajo. Sepse e di shumë mirë pra se këta njerëz nuk duhet të mbeten në gjendjen e fotografisë. Dhimbja nuk duhet të jepet me tonet e mungesës. Dhe pasuria e vetme e fotografisë është këmbëngulja e saj mbi mungesën e njeriut.
Foto: Emrush Xhemajli
Bashkëjetues i zhdukjes, vdekjes dhe vrasjes, piktori e ka një dhimbje sekrete ose një shpëtim sekret. Arti piktural e ka një përparësi ndaj fotos. Koha e personit në një portret bojërash nuk ndalet ashtu siç i ndodh në pllakën e argjendit. Jeta nuk ndalet. Ajo që ndalet është fuqia e vdekjes. Një foto na thotë vdekjen me ftohtësinë e saj, që i vjen prej çastit. Ndërsa bojërat dhe telajo mundësojnë papërcaktueshmëri jete, ngaqë vetë kohësia e të bërit pikturë nuk i përket çastit. Piktura nuk është as çast e as besnikëri ndaj fizikes.
Emrush Xhemajli kërkon të jetë besnik mbi tipare të caktuara të këtyre njerëzve që i do. Ai kërkon me qenë besnik i ndjenjës që ka për këta njerëz, pra i diçkaje që i takon vetëm atij. Ai është besnik i kohëve të caktuara, që ka kaluar me këta njerëz. Shkrimi me ngjyra i portreteve lejon që koha të lëvizë ende. Sepse ai i ka takuar, shumicën e këtyre njerëzve, pikërisht në lëvizje. Ndaj ata nuk duhet të ndalen prej fotografisë. Le t’i përmbysim gjërat, thotë piktori. Le të kalojmë nga fotografia në pikturë. Le të kalojmë nga dokumenti i vdekjes në kujtimin e lëvizjes. Këta njerëz duhet të kenë liri prej pikture.
Portrete, njerëz, shokë. Ju do të shihni portrete ku vdekja nuk është më datë. Piktura ka një datë, por një datë krejt tjetër. Kjo është data intime e miqësive, që vendosen mes mendimit dhe veprimit.