Ju lutem, pa maska!

01 janar 2025 | 16:10

Shkruan: Astrit Gashi

Të gjithë thirremi në vlera, por fatkeqësisht i shkelim ato duke filluar nga themeli i shoqërisë – familja.

Mësuesi në shkollë shikon orën me padurim për të përfunduar mësimin dhe nxituar drejt një pune të dytë për të mbijetuar.

Profesori në universitet shet notën, duke përçmuar dijen dhe përpjekjen e studentit.

Diplomat janë kthyer në letra pa vlerë, që shpërndahen pa meritë. Ndërkohë, kemi njerëz me tituj akademikë që nuk dinë të shkruajnë apo të lexojnë një fjali pa gabime.

Bizneset, në vend që të respektojnë dhe të vlerësojnë punëtorët, shkelin të drejtat e tyre pa ndrojtje, duke i trajtuar si mjete dhe jo si njerëz. Mjeku- lë pacientin të vdesë nëse nuk paguan!

Mediat, që duhet të ishin zëri i së vërtetës, shkruajnë vetëm për atë që paguhet, duke e vrarë lirinë e fjalës dhe të drejtën për informim.

Rinia- Kalon ditët para kompjuterit, jo për të ndërtuar një të ardhme këtu, por për të kërkuar një biletë largimi nga vendi. Vendi po zbrazet, dhe ne të gjithë e dimë arsyen.

Të gjithë flasin për zgjedhje, por a kemi vërtet një alternativë? Të gjithë flasin për Gjykatën Speciale, por askush nuk bën asgjë konkrete për të mbyllur këtë gjykatë fashiste – përveç disave që diten shkojnë në Hagë vetëm për një fotografi e natën deshmi në prokurori!

Komandantët e luftës, të verbuar nga interesat personale dhe abuzimet, kanë harruar ushtarët që luftuan dhe sakrifikuan për lirinë.

Teologët- Ata përpiqen të “mashtrojnë” Zotin me fjalë boshe në kishë dhe xhami, duke predikuar një të vërtetë që vetë nuk e ndjekin.

Një lutje kam për të gjithë: Hiqni maskat!

Hiqni fasadën, sepse të gjithë ju njohin për atë që jeni. Të paktën, tregohuni të ndershëm me veten dhe me të tjerët.

Ndaloni gënjeshtrat! Filloni një rrugë të re – një vit të ri me sinqeritet, përkushtim dhe ndershmëri.

Bejeni për Kosovën, ju lutem! Luftojeni të keqen! Për Kosovën që meriton më shumë, për të ardhmen që na takon të gjithëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, është sërish në garë për…