‘Ju mbaj shkollë për patriotizëm’, Daut Haradinaj përplaset verbalisht me Kurtin dhe Kusari-Lilën
Në Kuvendin e Kosovës ka pasur përplasje të ashpra në mes të shefit të grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj me kryeministrin Albin Kurti dhe deputeten Mimoza Kusari-Lila.
Reagimi i Haradinajt, ka ardhur pasi kryeministri Kurti dhe deputetja Kusari-Lila, kanë thënë se AAK-ja ka ndryshuar qëndrimet për demarkacionin me Malin e Zi, vetëm për të ardhur në pushtet.
Haradinaj iu ka thënë atyre dhe të gjithë deputetëve se ju mban shkollë për patriotizëm.
“E kuptoj pak tensionin se nuk e kanë gjendjen e lehtë. Kam menduar se para se me fol ia përcjellin qëndrimet kryeministrit. Për patriotizëm personal shkollë ju mbaj krejtve, secilit një nga një. Unë nuk ju vallëzoj Gadafave. Unë jam i këtij vendi, me gjak e mbroj dhe e mbroj sa herë që ka nevojë, e jo me deklarata false. Edhe Thaçi e Kurti le ta dinë që asgjë s’i kam dhënë çka jam i gatshëm me i dhënë këtij vendi . Kryeministër mos më fyej, se jam më i përgatitur se ti. Mundesh me iu zgërdhi Bërnabiqit, mundesh me pas gjysmën e partisë në SHIK. Jam ushtar i Albin Kurtit në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës, se kam as fije problemi kush është ai e kush është ky”, ka thënë Haradinaj.
Ndaj këtyre deklaratave kanë reaguar deputetja Kusari-Lila dhe kryeministri Kurti. Fillimisht deputetja Kusari-Lila, i ka kërkuar nga Haradinaj të mos e fyejë atë.
“Daut, kur të hupin argumentet njerëzit bien në fyerje personale. Nuk po e them unë këtë por e kanë thënë shumë gra në politikë. Po dua me ta rikujtuar një argument, kjo që ka vallëzuar lartë e poshtë e poshtë është ajo që e keni lut sepse ju kanë vyer votat për qeveri. Unë nuk jam monedhë e askujt”, ka thënë Kusari-Lila.
Ndërsa kryeministri Kurti, ka thënë se pajtohet se Haradinaj është patriot, por i ka thënë se patriot duhet të jesh tanë jetën.
Kurti ia ka përmendur Haradinajt pasurinë që ka krijuar pas luftës.