Jubileu i parë
Kosova po shënon jubileun e parë të pavarësisë. Për 10 vjet të shtetësisë, Kosovën e kanë njohur 116 shtete. Por, shteti më i ri evropian ende nuk e ka siguruar ulësen që i takon në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si dhe nuk e ka fituar mbështetjen unike të Bashkimit Evropian, ngase pesë shtete anëtare të BE-së, nuk e njohin atë si shtet.
Për këto 10 vjet, Kosova është bërë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, përfshi edhe organizatat më të rëndësishme financiare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim si dhe atyre sportive, duke veçuar anëtarësimet në FIFA, UEFA dhe Komitetin Olimpik.
Flamuri i Kosovës është ngritur lartë nën tingujt e himnit shtetëror para syve të botës me kampionen olimpike e botërore, Majlinda Kelmendi. Kurse emri i Kosovës, lakohet për të mirë në opinionin dhe mediat botërore përmes yjeve të saj me famë botërore, ku veçohen këngëtaret Rita Ora e Dua Lipa.
Por, duke qenë me një subjektivitet të papërfunduar ndërkombëtar, Kosova përfaqësohet nëpër organizata e mekanizma ndërkombëtarë, diku si shtet sovran, diku si vëzhgues, e diku me fusnotë në emrin e saj.
Që të zgjidhet problemi i të ardhmes së saj evropiane, me çka besohet se do të zgjidhej edhe çështja e subjektivitetit ndërkombëtar, Kosovës i është vënë kusht që të arrijë një marrëveshje normalizimi të marrëdhënieve me Serbinë, në një proces tashmë maratonik negociatash që po zhvillohet me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e sheh shumë të largët as këtë ditë, kur Kosova dhe Serbia do të nënshkruajnë një marrëveshje normalizimi.
“Të gjithë ne e dimë mirë që kemi merituar të ecim më shpejt kah Bashkimi Evropian, që tashmë do duhej të ishim anëtarë të OKB-së dhe të gjitha organizatave të tjera ndërkombëtare, të nënshkruhej Marrëveshja finale për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura”, ka theksuar Thaçi.
Shteti më i ri evropian, megjithatë, po vazhdon të përballet me probleme ekonomike, papunësi, izolim ndërkombëtar për shkak të mospërmbushjes së kritereve evropiane për liberalizimin e vizave dhe pa një perspektivë të qartë integruese me vendet tjera në Bashkimin Evropian, si pasojë e mosnjohjes së saj nga pesë vende anëtare të BE-së.
Institucionet e Kosovës, janë funksionale, por jo edhe shumë efikase në trajtimin e çështjeve kryesore që brengosin qytetarët. Kurse skena politike, tani duket më e përçarë sesa para 10 vjetësh, kur ishte shpallur pavarësia.
Një gjendje e tillë, e ka zbehur jo vetëm emocionin e para 10 vjetëve, kur ishte shpallë pavarësia, por e ka rritur edhe zhgënjimin te qytetarët.
Me kalimin e emocioneve festive, pritet që Kosova t’i kthehet realitetit. Spektri politik, me një vonesë tre vjeçare, do të provojë të zë hapin e fundit dhe të përfshijë emrin e Kosovës në agjendën evropiane, për liberalizimin e vizave.
Ndërkaq, sfida më e madhe, pritet të jetë ballafaqimi me proceset e para eventuale gjyqësore që mund të iniciohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen me emrin unik, Gjykata Speciale për krime lufte./REL