Judi Dench do të nderohet me çmimin e karrierës
E njohur për rolin e ‘M’ në filmat për James Bondin, Judi Dench do të nderohet me çmimin e karrierës
Aktores britanike, Judi Dench, e cila është e popullarizuar te filmdashësit me rolin e ‘M’ në filmat e James Bondit, do t’i ndahet çmimi për arritje jetësore në festivalin spanjoll të filmit, San Sebastian.
83-vjeçarja, e cila në vitin 1999 e fitoi çmimin Oscar për rolin më të mirë dytësor, më 25 shtator të këtij viti do ta marrë çmimin ‘Donostia’.
Do të jetë hera e parë që aktorja merr pjesë në festivalin San Sebastian, ku do ta promovojë filmin e ri, “Red Joan”, të regjisorit Trevor Nunn.
Në filmin që bazohet në ngjarje të vërtetë, Dench luan rolin e një pensionereje, të cilën befasisht e arreston MI5 nën dyshimin se ka qenë spiune e KGB-së.
Aktorja e njohur e teatrit dhe filmit, në ekranet e mëdha ka debutuar në vitin 1964, ndërsa gjatë karrierës ka bashkëpunuar me regjisorë të njohur, si Kenneth Branagh, Steven Friers, Clint Eastwood e Sam Mendes.