Juglindja e Shqipërisë mbulohet nga bora
03 shkurt 2023
| 11:05
Juglindja e Shqipërisë është përfshirë nga reshjet e borës dhe temperaturave të ulëta nën zero. Sipas të dhënave nga emergjencat civile të Qarkut të Korçës trashësia e borës varion nga 5 cm në zonat e ulëta të juglindjes deri në 25 cm në zonat e thella malore të qarkut.
Mjetet borëpastruse kanë punuar gjatë orëve të mëngjesit dhe të gjitha akset rrugore nacionale dhe ato drejt pikave turistike të Dardhës dhe Voskopojës janë të kalueshme pa probleme. Shqetësim mbetet furnizimi me energji elektrike, ku në zonat malore kanë mbetur pa energji 300 familje për shkak të defekteve në linjat e transmetimit.
Gjatë ditëve në vazhdim priten reshje të lehta bore, ndërsa nga e diela parashihen temperatura polare deri në -11 gradë Celsius.