JUGOSLLAVIA PËRBALLË LËVIZJEVE ILEGALE SHQIPTARE NË KOSOVË, 1945-1981

06 gusht 2021 | 13:47

Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

Që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në botën shqiptare ekzistonte një program kombëtar i ruajtjes së tërësisë tokësore të atdheut, dhe i bashkimit kombëtar, mbi bazën e të cilit ishin hartuar gjithë programet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në vijim. Ky qëllim programor, i Lëvizjes Kombëtare mbeti i pandryshuar në thelb, sepse buronte nga e drejta legjitime dhe e natyrshme e tyre për të qenë të barabartë me popujt tjerë.

Menjëherë pas Kuvendit të Prizrenit, 1945, në ilegalitet të thellë filluan të vepronin organizatat e shumta patriotike ilegale shqiptare, si: Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare, Besa Kombëtare dhe disa të tjera pak më të vogla. Veprimtaria patriotike ilegale në Kosovë, nuk ishte diçka e  re, ajo ishte vazhdimësi e lëvizjeve të mëhershme patriotike, të cilat ishin përpjekur  që taktikën dhe strategjinë e vet, si dhe platformën ideo-politike t’ua përshtatin rrethanave e momentit aktual, lëvizjeve politike dhe ngjarjeve në vend e në botë, në mënyrë që të kishin sukses, dhe, jehonë më të madhe në realizimin e qëllimeve të tyre.

Lëvizja patriotike shqiptare ilegale në Kosovë kishte një shtrirje të madhe në kohë dhe në hapësirë, që përfshinte vitet 1945-1998, me aktivitete dhe me problematikë të larmishme, me momente kulmore dhe herë-herë shpërthyese, që dilte nga suazat e ilegalitetit, si në vitet 1968, 1981, 1989 dhe në fund më 1997-1999, kur iu vu ballë për ballë regjimit të Beogradit.

Në një dokument “Top sekret”, të Sekretariatit Krahinor të Punëve të Brendshme të Kosovës dhe të Sekretariatit Republikan të Punëve të Brendshme të Serbisë, me numër 4000/1, tetor 1986, bëhej analiza e shkaqeve dhe e burimeve të ripërtëritjes së organizimit ilegal të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Duke iu referuar dokumentit, shihet qartë se aktiviteti ilegal i shqiptarëve kishte filluar t’i nxiste organet e punëve të brendshme të bënin analiza që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, domethënë që nga viti 1945, kur Kosovën me tradhti e kishte aneksuar Serbia. Në bazë të dokumentit, konstatojmë se populli shqiptarë edhe si individ por edhe si kolektivitet përcilleshin, përgjoheshin dhe anashkaloheshin me qëllime të caktuara.

Sipas një rekapitulimi të UDB-së më 1947, në Kosovë nga viti 1945-1947, vepronin rreth 55 grupe të armatosura të udhëhequra nga një elitë patriotësh, që përfshinte një numër prej 60 vetash. Ata, ishin persona me  autoritet dhe gëzonin respektin e masave të gjëra. Këto 55 grupe, rreth vetes grumbullonin më tepër se 1.375 veta të armatosur. Mirëpo efektivin e luftëtarëve më të pa kompromis kundër pushtetit jugosllav e përbënin 375 veta. Po gjatë kësaj periudhe, sipas një dokumenti të botuar, që na i sjell hulumtuesi i palodhur, prof.dr. Qerim Lita, organet e ndjekjes arrestuan 356 veta. Të gjithë të arrestuarve iu shqiptuan 1. 227 vjet burg dhe 38 veta u dënuan me pushkatim. Edhe pse u zbuluan dhe u dënuan shumë anëtarë të organizatave, megjithatë,  shumica e anëtarëve mbeti e pa zbuluar dhe në vitet në vazhdim zhvilluan aktivitet të dendur ilegal në organizata të ndryshme, të cilat ishin vazhdimësi e “Komitetit Nacional Demokratik Shqiptarë”, por me emra të tjerë.

Pastaj, llogaritej se, vetëm në periudhën 1947-1960, nga ana e organeve të ndjekjes të Jugosllavisë, në Kosovë janë zbuluar 69 grupe e organizata ilegale me mbi 600 anëtar. Gjatë kësaj periudhe janë arrestuar mbi 420 veta ndërsa janë dënuar 250 anëtarë. Me zbulimin e këtyre organizatave dhe me arrestimin e disa nga anëtarët e tyre, nuk do të thotë se edhe aktiviteti i tyre patriotike do të shuhej. Përkundrazi, dita më ditë veprimtaria patriotike masivizohej dhe në rrjetin e saj hynte inteligjenca e mirëfilltë shqiptare. Aktiviteti i këtyre organizatave  kishte vazhduar deri më 1968, kur edhe e tërë puna e tyre kurorëzohet me sukses, me daljen e studentëve në demonstratat. Mu këtu edhe lind  kërkesa popullore “Kosova-Republikë” dhe kërkesa për vetëvendosje.

Veprimtarin patriotike të këtyre grupeve në këtë periudhë, posaçërisht gjatë viteve 1979-1980, e karakterizojnë përpjekjet e tyre  për ndërlidhjen aksionale dhe lidhshmërinë organizative, masivizimin, ngritjen dhe aftësimin ideopolitik të anëtarëve  nëpërmjet leximit të literaturës patriotike, kryesisht të marra nga shteti amë-Shqipëria. Gjatë kësaj periudhe aktiviteti më i dendur që u zhvillua në organizatat ilegale ishte realizimi i shkrimit dhe shpërndarja e flet-thirrjeve për të punuar për çështjen dhe lirimin e Kosovës nga robëria.

Sipas të dhënave të organeve të SPB-së të Kosovës, në periudhën 1974-1981, kundër 140 personave është ngritur aktakuza penale, prej tyre janë dënuar 89 persona në kohëzgjatje prej 1-15 vjet burgim të rëndë, 40 veta janë dënuar me kundërvajtje, 453 personave i është tërhequr vërejtja për veprimtari ilegale, kurse për 51 veta është ndërprerë aktakuza për shkak të rrethanave të ndryshme. Por  e vërteta është ndryshe, se sipas hulumtimeve që kam bërë në arkivat e gjykatave të qarqeve në Kosovë të dhënat janë kokëforta dhe dëshmojnë një të vërtet tjetër.

Patjetër duhet theksuar se, në popullsinë e gjithëmbarshme të ish-Jugosllavisë shqiptarët merrnin pjesë me afro 12 për qind, kurse në numrin e përgjithshëm të të dënuarve politikë me mbi 90 për qind. Pra, vetëm në burgje shqiptaret ishin shumicë. Nga viti 1945-1990 u dënuan me burgim të rëndë mbi 9.220 (7.684+1536) persona, të cilëve iu shqiptuan mbi 66.672 vjet e 7 muaj burgim, apo shndërruar në shekuj shqiptarët gjatë regjimit të egër jugosllav u dënuan me 666 shekuj, 72 vjet e 7 muaj burg. Sipas analizës së të dhënave, mesatarja e dënimeve me burgim që u ishin shqiptuar shqiptarëve për “vepra penale politike”, ishte 7 vjet e 1 muaj. Nëse kjo mesatare e dënimeve shumëzohet për 3.348 veta, që ishin të dënuar brenda viteve 1981- 1990, del se vetëm në këtë periudhë shqiptarëve u ishin shqiptuar rreth 23.770, vjet e 8 muaj burgim. Nëse këtij numri po ashtu ia shtoj¬më edhe rreth 1.232 vjet burgimi që u ishin shqiptuar rreth 10.000 shqiptarëve në procedurë kundërvajtëse, del se gjatë kësaj periudhe për vepra penale politike dhe për kundërvajtje politike ishin shqiptuar gjithsej 25.002, vjet e 8 muaj burgim. Në këtë periudhë gjithashtu u dënuan 1.346 ushtarë shqiptarë, ndërsa 63 u vranë në kazerma ushtarake. Vetëm gjatë vitit 1981, (sipas të dhënave arkivore), kuptohet pas 11 marsit, në mbarë Kosovën gjykatat e qarkut në Prish¬tinë, në Gjilan, në Pejë, në Prizren dhe në Mitrovicë do të organizojnë mbi 36 procese gjyqësore politike në të cilat do të dënohen mbi 297 veta, me 1, 6 deri në 15 vjet burgim të rëndë. Nga policia prej marsit 1981 deri në tetor 1989 u trajtuan 584.373 shqiptarë. Ndaj tyre u përdor dhuna prej kërcënimeve deri në rrahje të shkallës së humbjes së vetëdijes, apo deri në mbytje të personit e rastet e tilla nuk ishin të rralla. Ndërsa nga viti 1945-1990 u dënuan me pushkatim 202 veta, ndërsa u likuiduan mbi 752 veta.

Do theksuar se edhe brenda organizatave politike të kohës kishte dallime rreth artikulimit programor, se cila ishte platforma më e mundshme dhe më e përshtatshme që duhej të përdorej për rrethanat e kohës, për të ardhur deri te një strategji e përbashkët veprimi. Dallimet konsistonin në atë se si duhej t’i qaseshin zgjidhjes së çështjes kombëtare, ngase veprimtaret e ilegales asnjëherë në qëndrimet e tyre nuk ishin dogmat, por varësisht prej rrethanave kombëtare e ndërkombëtare, krijonin edhe qëndrimet e tyre. Këtë të dhënë, më së miri e dëshmon evoluimi i qëndrimeve rreth zgjidhjes së statusit të Kosovës në situata të caktuara, që do i paraqes, të përmbledhura në tre opsione si:

  1. Bashkimi i të gjitha tokave shqiptare me Shqipërinë;
  2. Bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një republikë brenda Jugosllavisë dhe
  3. Republika e Kosovës.

Që të tri këto opsione të shtruara nga veprimtarët e ilegales të Lëvizjes Kombëtare, në periudha të ndryshme kohore, kishin edhe bartësit e vet ideor. Opsionin e parë për bashkimin e trojeve shqiptare  me Shqipërinë në programin e saj e kishte paraparë LNDSH, Besa Kombëtare, Partia Revolucionare për Bashkimin e Trojeve Etnike me Shqipërinë” (1958); “Organizata për Bashkimin e Trojeve Shqiptare” (1959);  “Komiteti për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë“ (1960) ,, Grupi Revolucionar”, “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” (1963). OMLK e  dhe Lëvizja Nacionale për Çlirimin e Kosovës dhe Viseve tjera shqiptare në Jugosllavi. Që të gjitha këto organizata ishin vazhdimësi e lëvizjeve ilegale për çlirim kombëtar qysh nga Lidhja e Prizrenit (1878) e këndej.

Opsionin e dytë e kishte paraparë organizata “Partia Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi”, e cila në programin e saj parashihte bashkimin e të gjitha trojeve ku shtriheshin shqiptaret në një republikë në kuadër të RSFJ-së.

Opsioni i tretë, apo zanafilla e idesë për Republikën e Kosovës ishte shpalosur fillimisht me demonstratat e vitit 1968. Por si më e sforcuar u paraqit në formë të plotë, në periudhën e demonstratave të vitit 1981 e 1989. Kosova-Republikë, pas shumë bisedimeve në mes të veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare ilegale, ishte kërkesë e të gjitha grupimeve ilegale pas vitit 1968, 1981, 1989, që më vonë do të bëhet kërkesë e gjithë popullit shqiptar në Kosovë dhe në viset e tjera jugosllave të banuara me shqiptarë.

Mirëpo, pas ndryshimeve të shumta politike që pasuan në mes viteve 89-99 të shekullit të kaluar, veprimtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që vepronin në ilegalitet, por edhe ata që vepronin në parti të ndryshme politike legale që u formuan gjatë kësaj periudhe, duke e par dhe hetuar ndikimin e faktorit të brendshëm dhe të atij ndërkombëtarë, në qëndrimet e veta filluan të bënin korrigjime në qasje dhe në organizim.

Programet politike e kombëtare dhe mjetet e format e luftës me të cilat parashihej të arriheshin qëllimet e saja, në esencë, kishin mbetur të pandryshueshme gjatë gjithë historisë së lëvizjes kombëtare. Por, forma më e lartë e rezistencës, lufta e armatosur, ndonëse ishte pjesë e programeve, por edhe e praktikës historike të lëvizjes kombëtare, arriti të zbatohej në tërë kuptimin dhe gjerësinë e saj, vetëm në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, atëherë kur u krijuan kushtet e brendshme dhe të jashtme për të, kur u poqën faktorët subjektivë dhe objektivë të lëvizjes. Brezat e mëparshëm të lëvizjes ilegale, nuk mund ta bënin këtë, në Jugosllavinë stabile e me prestigj ndërkombëtar dhe në rrethanat e luftës së ftohtë. Megjithatë, lufta çlirimtare përgatitej dhe zhvillohej shkallë-shkallë përballë valëve të egra të dhunës që ushtronte pushtuesi.

Ky besim dhe ky angazhim i pa kursyer i ilegales dhe besimi i madh në popullin e vet, ndikoi që të formohej edhe UÇK-ja, ngase çdo organizatë shqiptare ilegale në ish Jugosllavi, në programet e tyre, përveç zgjidhjes paqësore të çështjes shqiptare, ato parashihnin edhe zgjidhjen me luftë. Andaj, dalja në skenë e UÇK-së nuk ishte e rastësishme dhe se ishte krahu më i natyrshëm i Lëvizjes Kombëtare në Kosovë që nga viti 1945. Lufta e Kosovës nën udhëheqjen e UÇK-së, dhe ndihma e madhe nga faktori ndërkombëtar që sollën lirin që ne sot e gëzojmë, dëshmon dhe provon se ishte vepra më madhore e të gjithë atdhetarëve  që u angazhuan për Pavarësinë e saj duke mos kursyer as jetën e tyre.

*Fusnotat janë hequr nga redaksia

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ku do të luajë Lionel Messi në sezonin e ardhshëm?…