Juncker: Asnjë vend i Ballkanit në BE pa zgjidhur problemet kufitare
Kryetari i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, ka porositur vendet e Ballkanit se asnjëri prej tyre nuk do të pranohet në Bashkimin Evropian deri sa nuk zgjidhin të gjitha kontestet kufitare me fqinjët.
“Këto probleme duhet të zgjidhen para se të përfshihen në BE ose nuk do të ketë anëtarësime të reja”, ka deklaruar Juncker në Parlamentin e BE-së.
Paralajmërimi i tij erdhi pas një fjalimi në Parlamentin Evropian të kryeministrit kroat, Andrej Plenkovic.
Kroacia dhe Sllovenia , të dyja anëtare të BE-së, janë bllokuar në një mosmarrëveshje kufitare që daton që nga ndarja e ish-Jugosllavisë në të ’90-at.
Juncker paralajmëroi se Serbia dhe Mali i Zi ndoshta do të mund të bëhen anëtare të BE-së në vitin 2025, nëse i përmbushin të gjitha kushtet, raporton AP, transmeton Koha.net.