Juncker përjashton shtyrjen e afatit për Brexit
Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka përjashtuar sot çdo shtyrje të mëtejshme për largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja.
“Nuk do të ketë shtyrje. Kemi finalizuar një marrëveshje, kështu që nuk ka arsye për vonesa të mëtejshme”, ka deklaruar Juncker në Bruksel.
Sidoqoftë, nëse Britania e Madhe do të kërkojë një zgjatje të afatit, do të jenë vendet anëtare të BE-së që do të thonë fjalën e fundit dhe jo Juncker.
“Nëse Johnson do të ketë shumicën prej nesh do ta shohim të shtunën në votimin në parlament, por në këtë moment duket se ai nuk gëzon mbështetjen e aleatëve të tij, midis të cilëve DUP dhe as ne nuk e mbështesim këtë për marrëveshjen me BE-në për Brexit”, ka deklaruar lideri i laburistëve, Jeremy Corbyn, ndërsa komentoi me gazetarët hapat e ardhshme politike të Britanisë së Madhe pas marrëveshjes së arritur me Brukselin. “Të shohim se çfarë do të ndodhë të shtunën dhe nëse kalon apo jo marrëveshja. Johnson do të duhet të kërkojë zgjatjen e saj”, ka shtuar Corbyn.
Partia unioniste e Irlandës së Veriut, DUP, aleate e konservatorëve të Boris Johnsonit në parlament, ka deklaruar sot kundërshtimin e saj ndaj marrëveshjes së negociuar mes Londrës dhe Bashkimit Evropian, duke rritur së tepërmi pasigurinë e miratimit të saj nga ana e deputetëve.