Juncker, Vuçiqit: S’mundeni në BE pa i zgjidhur hesapet me Kosovën
Kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka thënë të hënën se Serbia duhet t’i zgjidhë mosmarrëveshjet e saj me Kosovën, dhe të zbatojë një varg reformash, para se të mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Juncker ka thënë pas bisedimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se vendi ballkanik është në rrugën e duhur, por se BE-ja nuk mund të pranojë asnjë anëtar të ri me probleme të pazgjidhura territoriale.
“Serbia tashmë ka bërë një pjesë bukur të mirë të rrugës drejt BE’së”, ka thënë Juncker, para se të shtonte se “ende kanë mbetur pa u zgjidhur” edhe një numër problemesh.
Ai ka përmendur nevojën për reforma në gjyqësor, dhe për përmirësime në sundimin e ligjit, para se Serbia dhe të tjerët të mund të bëhen pjesë e BE-së.
Juncker ka vizituar Serbinë si pjesë e një turneu nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat aspirojnë t’i bashkohen bllokut, në kohën kur Rusia po synon ta rrisë ndikimin e saj në rajon, e veçanërisht në Serbi.
Turneu i tij në Ballkan po bëhet pasi BE-ja ka hartuar një strategji të re të zgjerimit, që parasheh se Serbia dhe Mali i Zi mund të jenë vendet e ardhshme që i bashkohen bllokut më 2025.
Vuçiq ka thënë se është i vendosur për kompromis me Kosovën, pavarësinë e së cilës vendi i tij nuk e njeh. “Na duhet një kompromis, ose do të vazhdojmë të jetojmë në të kaluarën”, është shprehur presidenti serb.
Juncker ka thënë se BE-ja dëshiron një marrëveshje të natyrës obliguese ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por se dy vendet duhet të merren vesh se çfarë do të përfshijë ajo.
Kreu i KE-së tashmë ka vizituar Maqedoninë dhe Shqipërinë. Ai do të udhëtojë në Mal të Zi, para se të vazhdojë vizitat në Kosovë dhe në Bosnjë.
Turneu i tij do të përfundon me një samit të BE-së me udhëheqësit rajonalë, në Sofje, Bullgari, më 1 mars. /Express/