Junckeri i kërkoi Ramës që Shqipëria t’u japë fund konflikteve territoriale
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker dhe kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, pas një takimi të përbashkët kanë dalë në një konferencë për shtyp.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh se qeveria i ka bërë detyrat e shtëpisë, dhe meriton që të marrë rekomandimin e hapjes së negociatave të anëtarësimit. “Kjo vizitë është përmbushja e një zotimi të vjetër por të mbajtur në momentin më të mirë të mundshëm. Vjen pak kohë përpara momentit të vendimmarrjes për rekomandimin e Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe pak pas publikimit të strategjisë së re të zgjerimit që përbën një bazë inkurajuese për të gjitha vendet e rajonit tonë. Ne u takuam në dhjetor në Bruksel dhe sot pata mundësinë dhe privilegjin ta informoj nga afër presidentin për zhvillimet e reja, ecurinë e reformave dhe vendosmërinë e Shqipërisë për të vijuar të jetë nga njëra anë në një proces intensiv përafrimi me BE përmes punës së përditshme në vendin tonë dhe nga ana tjetër një aktor konstruktiv për nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe garantimin e fqinjësisë së mirë për gjithë rajonin”, deklaroi Rama.
Në fjalën e tij, Juncker, siç e deklaroi edhe në Maqedoni, nuk e ka nisur turin në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor që të japë një datë për çeljen e negociatave, por për të inkurajuar Shqipërinë në nismat dhe reformat që ka ndërmarrë.
Juncker bëri thirrje për t’i dhënë fund konflikteve territoriale me fqinjët deri në datën e çeljes së negociatave. “Këtu në Tiranë filluam udhëtimin tonë përmes Ballkanit Perëndimor. Shqipëria nuk ka asgjë të habitshme, e njoh nga larg. Për ne Shqipëria është vend partner, por ne jemi ndarë nga të papriturat e historisë, por nuk duhet humbur më aq kohë për t’u bashkuar. Konstatoj me kënaqësi që Shqipëria nuk pushon së akumuluari progres. Këto progrese janë domethënëse. Nëse vijojnë kështu do të ketë rekomandimin. Unë inkurajoj reformat e rëndësishme. Ne do të jemi përkrah Shqipërisë të përgatisë anëtarësimin. Të gjitha problemet ndërmjet vendeve kufitare të jenë të zgjidhura deri në datën e anëtarësimit. Shqipëria t’i japë fund konflikteve territoriale deri atëherë”, është shprehur Juncker.