Junckeri: Përpjekjet e Trumpit për të ndarë Evropën janë të kota
Shefi i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka thëën se përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për të ndarë BE-në në tregti janë të kota.
Juncker e ka dhënë këtë deklaratë për presidentin amerikan, Donald Trump, në prag të udhëtimit të tij në Uashington, javën e ardhshme.
Në një konferencë për gazetarë në Bruksel, Junckeri ka thënë se do të përpiqet ta bindë Trumpin që t’i heqë tarifat mbi importet nga Evropa.
“Bashkimi Evropian dhe tregu i tij i vetëm janë të pandashëm”, ka thënë Junckeri, i pyetur për ofertën e presidentit amerikan për marrëveshje dypalëshe.
“Të gjitha përpjekjet për të ndarë evropianët janë të kota”, ka thënë Junckeri, raporton “Rel”.
Trumpi ka vënë taksë 25 për qind mbi importet e çelikut dhe 10 për qind në alumin, në muajin mars, por ka bërë përjashtime të përkohshme për BE-në dhe disa partnerë të tjerë tregtarë, derisa bisedimet kanë vazhduar.
Këto përjashtime janë hequr në fillim të qershorit, duke nxitur tarifa hakmarrëse nga BE-ja.
Trumpi ka thënë se është duke e shqyrtuar vendosjen e tarifave edhe mbi makinat evropiane.