Juniku dhe Peja mbështesin fuqishëm Robin Krasniqin

21 korrik 2023 | 15:44

Ndalesa e tretë e karvanit të autobusit të Robin Haxhi Krasniqi ka qenë në Junik dhe Pejë. Vendlindja e kampionit të boksit, me organizim të kryetarit të Junikut, Ruzhdi Shehu, ka organizuar në amfiteatrin e asamblesë së komunës ceremoninë e shfaqjes së dokumentarit dhe paraqitjes së ekspozitës. Të pranishmit me vëmendje e kanë ndjekur dokumentarin, i cili reflekton emocion, përmes vuajtjeve dhe sakrificës në rrugën drejt titujve të Robin Krasniqit. Kryetari i komunës, Ruzhdi Shehu, ka thënë se 5 gushti do të jetë ditë e madhe. “Robin Krasniqit i urojmë suksese dhe i themi se jemi me ty në këtë ndeshje. Besojmë dhe shpresojmë se fitorja është e sigurt”, ka thënë i pari i Junikut, Ruzhdi Shehu.

Anëtari i Këshillit Organizativ, Behar Mehmeti, i ka falënderuar të gjithë për këtë organizim, duke shtuar se “mikpritja është virtyt i Dukagjinit dhe s’gjej fjalë ta përshkruaj. Faleminderit nga zemra”.

Në mbështetje të Robin Krasniqit ka dalë edhe zyrtari i komunës së Junikut, Artan Krasniqi. Ai shtoi se ishte kënaqësi që komuna e Junikut e pati rastin ta mirëpresë karvanin. “Siç e tha edhe boksieri ynë Robin Haxhi Krasniqi, nuk do të boksojë në Gjermani, por janë mbledhur të gjitha shqipet për ta mbështetur”, ka shtuar Krasniqi.

Pas Junikut, karvani të mërkurën vazhdoi në Pejë. Autobusi është ndalur në qendër, ku aty patën rastin qytetarë të shumtë dhe tifozë të Robinit ta përcjellin nga afër dokumentarin dhe ekspozitën. “Jam i nderuar që karvani i Robin Krasniqit është në Pejë. Me datën 5 gusht është një betejë e madhe. I dëshirojmë sukses e me fitore”, ka thënë kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri. Në Pejë e Junik u shpalos edhe një befasi e mbrëmjes së 5 gushtit, ku u bë e ditur prania e solistes së njohur Dafina Zeqiri, në një prej performansave artistike që do t’i ketë kjo ngjarje. Në qytetet e tjera do të shpalosen edhe befasi të tjera të eventit me emra të njohur nga estrada, që do të paraqiten në skenën e 5 gushtit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përkundër se shumë vende të Ballkanit u përfshin nga stuhi…