Juniku probleme me energji elektrike
Komuna e Junikut është e shqetësuar me gjendjen jashtëzakonisht të rëndë me furnizim me energji elektrike.
“Kjo gjendje nuk është e tanishme por është një vazhdimësi e cila po ndodhë tash e një kohë të gjatë në komunën tonë. Edhe përkundër premtimeve për përmirësim nga ana e KEDS-IT, gjendja vazhdon të mbetet e rëndë. Juniku ka ofruar bashkëpunim KEDS-it për çdo aktivitet të tyre deri më tani, por nga sot si pasojë e gjendjes jashtëzakonisht të rëndë energjetike, injorimit të kërkesave të qytetarëve, mungesës së vullnetit dhe gatishmërisë për bashkëpunim me komunën për të zgjidhur situatën e rëndë e cila ka përfshirë komunën e Junikut me rrethinë, ndërpret çdo lloj bashkëpunimi deri në përmirësimin e gjendjes”, është thënë në njoftimin e Komunës së Junikut.
Komuna ka njoftuar se për veprimet e tjera nuk mban asnjë përgjegjësi, duke pasur parasysh faktin se qytetarët e Komunës së Junikut janë ndër paguesit më të rregullt të energjisë në Kosovë, ku pagesa e faturave shkon mbi 90 për qind.
/Epoka e re/