Junta në Mianmar do ta shuajë partinë e Suu Kyi
Komisioni Zgjedhor në Mianmar (Birmani) do të shuajë Partinë Lidhja Kombëtare për Demokracinë (NLD) e Aung San Suu Kyi. Komisioni është caktuar nga junta, e cila bëri grusht shtet në muajin shkurt.
Mediet e Mianmarit citojnë një komisioner të ketë thënë se vendimi do të merret për shkak të mashtrimit elektoral të kësaj partie. Prej puçit ushtarak të 1 shkurtit, që ka rezultuar me rrëzim nga pushteti të Aung San Suu Kyi, Mianmari është përballur me protesta gati çdo ditë. Liderja Suu Kyi dhe zyrtarë tjerë të lartë të partisë janë arrestuar.
Protestuesit po kërkojnë rikthimin e demokracisë, ndërkaq ushtria është zotuar se pas një viti do të mbahen zgjedhjet e reja.
Deri më tani, mbi 700 persona janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë burgosur.
Partia e Suu Kyisë, Lidhja Kombëtare për Demokraci, ka fituar me shumicë votash zgjedhjet e vitit të kaluar, mirëpo ushtria tani beson se procesi është manipuluar.
Komuniteti ndërkombëtarë e ka dënuar puçin në Mianmar. Gjeneralët e ushtrisë së Mianmarit janë përballur me sanksione të disa vendeve perëndimore, raporton “Rel”.
Në një letër të shkruar derisa është përgatitur për ndalimin e saj, Suu Kyi ka thënë se veprimet e ushtrisë e kanë kthyer shtetin mbrapa nën diktaturë.
Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Suu Kyi, 75 vjeçe, e mori pushtetin pas një fitoreje bindëse në zgjedhjet e vitit 2015. Ardhja e saj në pushtet pasoi vite të tëra të qëndrimit të saj në arrest shtëpiak, për shkak të luftës së saj për demokraci.
Këto përpjekje të saja e shndërruan atë në ikonë ndërkombëtare.
Pozicioni i saj në arenën ndërkombëtare u dëmtua pasi qindra mijëra myslimanë ikën për shkak të operacioneve të ushtrisë. Por, megjithatë ajo mbeti shumë e popullarizuar brenda vendit.