Jupa: Synojmë kualifikimin historik 

15 mars 2021 | 19:21

Hendbollisti Kastriot Jupa për “Epokën e re” ka bërë me dije se Kosova synon suksesin historik me kualifikim në Kampionatin Evropian.

Hendbollisti Kastriot Jupa një ditë pas fitores së madhe kundër Rumanisë me rezultat 30-25 në kualifikimet evropiane, ka thënë se kjo ndeshje ishte përgatitur mirë dhe paraqitja ishte më e mira në vitet e fundit.

“Ndeshjen e kishim përgatitur aq mirë saqë asnjëherë nuk na është rrezikuar fitorja. Ishte ndër ndeshjet më të mira që kemi zhvilluar tërë këto vite dhe ky është ende fillimi i një grupi të artë. Me këtë fitore kemi rritur gjasat për t’u kualifikuar që iu prish punë ekipeve të tjera që pretendojnë për kualifikim në Evropian”, ka thënë Jupa për “Epoka e re”.

Ndeshjen e radhës “dardanët” në hendboll e kanë kundër Malit të Zi, kurse hendbollisti i spikatur Kastriot Jupa e ka quajtur këtë ndeshje si një finale dhe është optimist për sukses. “Ndeshja e ardhshme me Malin e Zi do të jetë një finale për neve për shkak që me një fitore eventuale i hapim dyert tona për një kualifikim historik në evropian dhe kemi gjasa shumë të mëdha ta arrijmë këtë sukses”, ka deklaruar Jupa.

Për fitoren e Kosovës ndaj rumunëve ka shkruar edhe uebfaqja e Federatës Evropiane e Hendbollit. “Kosova s’ka fituar asnjëherë një ndeshje garuese jashtë vendit, mirëpo ajo shokoi Rumaninë me një sulm verbues dhe një mbrojtje të fuqishme, duke fituar 30:25. Pas një fillimi të fuqishëm kundër Malit të Zi, Rumania u shemb tërësisht këtë javë, duke humbur tri pikë kundër Kosovës, pas barazimit 23:23 javë më parë”, thuhet në njoftimin e Federatës së Hendbollit të Kosovës. Në fund hendbollisti Jupa foli edhe për synimet që ka me skuadrën e Besa Famgas në hendbollin e Kosovës për edicionin 2020/2021. “Me Besën synimet janë si çdo vit që ta përfundojmë sezonin pa asnjë humbje dhe me dy trofetë në Pejë”, ka deklaruar Jupa.

/Veton ZYMBERI/  

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri në detyrë i Shëndetësisë Armend Zemaj, ka komentuar thirrjen…