Vëllezërit të trëmbur pranuan t’ia përmbushin këtë dëshirë të fundit dhe rregulluan një vend bosh prej dy tullash në lartësinë e gjinjve. Në çast nusja pëshpëriti: “Vëllezër të dashur, vërini tullat para gojës sime, sepse puthjet e të vdekurve i tmerrojnë të gjallët. Por, më lini një të çarë para syve të mi që të mund të shoh në se biri im do të pijë qumësht apo jo”.
Ata bënë siç u tha ajo dhe një e çarë horizontale u la në lartësinë e syve. Kur dielli perëndoi, në kohën që e ëma kish zakon t’i jepte gji, fëmijën e sollën përgjatë rrugës së pluhurosur plot me kaçube ku kullosnin dhitë. Ajo e përshëndeti ardhjen e foshnjës me klithma gëzimi, duke i bekuar të dy vëllezërit. Qumështi vërshoi nga gjinjtë e saj të fortë e të nxehtë dhe kur fëmija fjeti i pështetur në gjoksin e saj, ajo këndoi me një zë që përshkonte lehtësisht trashësinë e tullave. Kur foshnja u shkëput nga gjinjtë e saj, ajo u tha ta çonin të flinte tek kasollja. Gjithë natën, kënga monotone që dëgjohej nën qiellin me yje, nanurisja përkundëse në largësi, bënin që foshnja të mos qante. Të nesërmen, ajo nuk këndoi më, por me një zë të mekur pyeti sesi e kishte kaluar natën Vania i saj …
***
Megjithëse nuk kemi ndonjë të dhënë që ajo të ketë qenë në Shkodër, duke shkruar për tregimin Qumështi i vdekjes, “se ajo është një histori e vjetër për të cilën flitet në Shkodër”, mund të besohet që ajo e ka vizituar këtë qytet, i cili në atë kohë kishte interes për udhëtarët e huaj. Ajo ç’ka e ka mahnitur Jursenarin në këtë legjendë është përkushtimi i nënës për fëmijën, që merr përmasa të jashtëzakonshme. Athua ishte gjithashtu një përkushtim, që Jursenari, e ndarë që e vogël nga familja e saj, e shkëputur që në lindje nga nëna që kurrë nuk e njohu, kish nevojë ta shkruante këtë legjendë? “Ajo që do të doja për nënë”, shkruan ajo përmes personazhit të këtij tregimi, “do të ishte një pasardhëse e vogël e legjendës shqiptare”.
Jursenari e përjetoi gjatë këtë mungesë, që vërehet edhe në radhët e kujtimeve të saj. Në librin Ana Soror, nëna e dy të rinjve humbet shpejt nga ethet … Kur shkruan tregimin Qumështi i vdekjes, ajo është 34 vjeç dhe e shkruan në frymëzim e sipër, nëpër Ballkan, ashtu siç shkroi librin Safo diku në bordin e një anije të ankoruar në Bosfor.
Nëna e saj kishte vdekur dhjetë ditë pasi kishte lindur ajo, dhe njerka e mëvonshme donte ta kishte atë larg saj. Fotografitë e nënës së vdekur ajo i pa për herë të parë në moshën 35-vjeçare. Ajo kurrë nuk u martua dhe asnjëherë nuk pati fëmijë, e megjithatë, nëpër rreshtat e këtij tregimi mund të kuptosh shumë më thellë botën e saj. Dihet që në atë kohë ajo iu përkushtua dhe miteve antike e më pas do të shkruajë për Elektrën (Elektra apo rënia e maskave), Klitemnestren, Orestin, Edipin, apo minotaurin (Kush nuk e ka minotaurin e tij?).
Por, gruaja e legjendës shqiptare nëpër shekuj e kishte krijuar mitin e vet.
***
… Një ditë më pas ajo heshti, por merrte ende fryme, pasi nga frymëmarrja, gjinjtë, në mënyrë gati të padukshme uleshin dhe ngriheshin brenda atij kafazi. Disa ditë më vonë edhe zëri edhe fryma ju shuan, por gjinjtë e saj të palëvizur nuk kishin humbur asgjë nga ai burim i ëmbël dhe i bollshëm që rridhte, dhe fëmija që flinte midis gjinjve, ende priste zemrën e saj. Më pas, kjo zëmër që kish rrahur aq kohë, pushoi. Sytë e saj plot shkëlqim u shuan si refleksi i yjeve në një cisterne pa ujë dhe përmes së çarës nuk dalloheshin veçse dy bebëza të xhamtë që nuk e shihnin me qiellin. Kokërdhokët e njomë u kishin lënë vendin dy gropëzave, në fund të të cilave dukej vdekja, por megjithatë gjoksi i saj mbeti i pareshtur dhe gjatë dy viteve, në agim, në mesditë dhe në perëndim të diellit, ku çurgu mrekullues rridhte gjersa fëmija e preu gjirin.
Vetëm atëherë lëfyti nga rridhte u thërrmua dhe në cep të murit me tulla mbeti veçse një e dalë prej hiri të bardhë. Për shekuj me radhë, gratë nëna vinin të mallëngjyera dhe ndiqnin me gisht përgjatë tullave të kuqe atë vazhde te qumështit mrekullues. Pastaj edhe kulla përreth u zhbë dhe pesha e kubesë nuk peshoi më mbi skeletin e brishtë të asaj gruaje. Së fundi dhe kockat e brishta përhumbën dhe nuk mbeti gjë tjetër veç këtij plaku francez tashmë të ngujuar në këtë vapë ferri, që i dërdëllet të parit udhëtar që kalon këtë histori të denjë për të frymëzuar poetët, të cilët do të na shkaktonin po aq lotë sa dhe ato për Andromakën.
***
Njohja me Ballkanin i dha një ton krejt tjetër letërsisë së mëvonshme të Jursenarit, duke e bërë atë më të thellë, më mistike, sensuale dhe mitike. Nga 1929 gjer më 1939 ajo botoi veçse pesë libra. Më pas, gjatë Luftës së Dytë Votërore ajo u tërhoq në heshtje dhe vetëm më 1951 botoi Kujtimet e Adrianit, një nga veprat më të mira të saj. Jeta e saj ishte një udhëtim i pareshtur, si jeta e Heminguejt apo e shkrimtarëve të tjerë: Monte Carlo, Gjenevë, Itali, Vjenë, Skandinavi, Spanjë, Portugali e më pas në Evropën Qendrore e gjer në jugun e Amerikës, për të vazhduar shkrimet, por dhe përkthimet e shumta të saj si veprat e Virginia Woolf, Henry James, Mishima apo poezi të “negros” të Amerikës etj. Më së fundi, me të dashurën e saj, përkthyesen amerikane Grace Frick të cilën e kishte njohur rastësisht në Paris, ajo u vendos atje në ishullin Monts-Deserts të shtetit Maine, në fshatin Northeast Harbor, ku ishte streha e saj letrare e periudhës së fundit ku u shkrua gjithashtu përfundimisht dhe romani Vepra në të Zezë, e cila është ekranizuar më pas në një film. Padyshim, Jursenar ishte një qytetare e botës, edhe pse deviza e saj për origjinën ishte “Vendi i vërtetë i lindjes së njeriut është ai vend ku për herë të parë ai ka hedhur vështrimin e tij në mënyrë inteligjente: atdhetë e mi të parë janë librat”.
Jursenari vdiq më 1987, në moshën 84-vjeçare, jo shumë vjet pasi ishte zgjedhur anëtare e Akademisë Franceze, e para grua që hyri në këtë akademi shekullore. Botimi i Novela orientale në gjuhën shqipe ishte veçse fillimi i këtij pikëtakimi me letërsinë e Jursenarit që përfshin epoka historike që përfshijnë ngjarje që nga shekulli i II i erës sonë, shekulli XVI e më pas në shekullin e XX. Më pas, botime të tjera do të vinin në shqip shkruar nga pena e saj, duke filluar nga Kujtimet e Adrianit …