Justin Davis, MVP i javës në Superligën e basketbollit
Peja vazhdon të jetë e pamposhtur në elitën e basketbollit, njëherësh skuadra e vetme në Superligë pa humbje. Verdhezinjtë në këtë xhiro kanë mundur Golden Eagle Yllin, ku në derbi lojtari më i dalluar ishte Justin Davis i Pejës.
Davis e ka mbyllur ndeshjen me dyshifrorë të dyfishtë, 27 pikë e dhjetë kërcime, duke e pasur indeksin e ndeshjes 26 apo më të lartën në këtë sfidë dhe duke u shpallur MVP i javës së katërt, që është hera e parë për të në këtë edicion që shpallet MVP.
Ndërkohë, derbin e qytetit e ka fituar Bashkimi kundër Proton Cable Prizrenit, ku u dalluan Grant Lozoya dhe Erik Copes.
Lozoya e ka mbyllur ndeshjen me 21 pikë, nëntë kërcime e tetë asistime, kurse qendra Copes kishte dyshifror të ‘çmendur’ me 25 pikë e 22 kërcime.
Sigal Prishtina ka vazhduar me fitore, duke mposhtur Istogun, ndërsa organizatori amerikan Derrick Wilson ishte më i miri i ndeshjes me 19 pikë, 12 kërcime e gjashtë asistime.
Trepça është rikthyer te fitoret, ndërsa qendra e Kosovës, Dardan Kapiti edhe pse ka luajtur 16 minuta, ka zhvilluar një ndeshje shumë të mirë me 13 pikë, gjashtë kërcime dhe një asistim, apo duke pasur indeksin e ndeshjes në 20, më të lartën në këtë përballje.