Jusuf Gërvalla, një zë i veçantë në letërsinë moderne shqipe

27 shkurt 2018 | 10:44

Sadik Bicaj

Vështrim

Jusuf Gërvalla njihet si poet dhe prozator, publicist dhe përkthyes, muzikant dhe atdhetar i shquar, që veproi deri në vdekje, pa u trembur, për liri dhe pavarësi të Kosovës. U lind në fshatin Dubovik të Pejës në vitin 1945 dhe vdiq në Shtutgart të Gjermanisë, përkatësisht u vra nga shërbimi sekret jugosllav, në vitin 1982.

Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prishtinë, ndërsa studimet i filloi në Lubjanë dhe i kreu në Prishtinë. Një kohë punoi si përkthyes në gazetën “Flaka e vëllazërimit” në Shkup, prej nga kaloi gazetar në të përditshmen “Rilindja” në Prishtinë. Në fillim të vitit 1980 emigroi në Gjermani, ku një vit më vonë (1982) vritet para banesës së vet nga dora e fshehtë e regjimit serb. Që nga vitet e shtatëdhjetë nisi të shkruajë dhe të botojë nëpër gazeta dhe revista në gjuhën shqipe që dilnin në Prishtinë dhe në Shkup. Shkroi kryesisht poezi e prozë për të rritur.

Veprat letrare të shkrimtarit Jusuf Gërvalla janë: “Fluturojnë e bien” (Prishtinë, 1975), “Kanjushë e verdhë” (Prishtinë, 1978), “Shenja të shejta” (Shkup, 1980), “Rrotull” (Tiranë, 1983), “Procesi” (Prishtinë, 1984”). (Hasan Hasani “Leksikoni i shkrimtarëve”, Prishtinë, 2000, f. 156 e 157).
Vepra e tij letrare fatkeqësisht nuk është shumë e njohur në trojet shqiptare, edhe me gjithë shkrimet dhe studimet e shumta që janë bërë për këtë autor.

Në këtë drejtim, një punë të mirë e ka bërë akademik Sabri Hamiti në librin  “Vepra letrare e Jusuf Gërvallës “(Ora, Prishtinë, 1992), ndërsa më vonë, pikërisht në vitin 2010, tekstin e Sabri Hamitit e vejnë në ballë edhe Shtëpia Botuese “Faik Konica” në Prishtinë, duke vlerësuar si tekstin më gjithëpërfshirës dhe më analitik të veprës letrare të Jusuf Gërvallës.

Poezia e Jusuf Gërvallës është tipike origjinale dhe shumë domethënëse për kohën. Ajo është një poezi etnike, shpeshherë e ndërtuar në kolonë, me varg të lirë dhe mjaft e pasur edhe me figuracione të shumta stilistike, duke përfshirë këtu edhe një vargëzim (metrikë) të veçantë.
Gërvalla poezinë e tij e ndërton mbi fjalët kyçe, si: shtëpi, nënë, fshat, vendlindje, rrugë, njeri, ujë, mjegull, buzëqeshje, dashuri, etj., ndërsa mbi bazën e tyre janë ndërtuar poezitë: “Shtëpia në kornizë”, “Shtëpia në rrugë”, “Shtëpia rrëzë malit”, “Fshati rrëzë malit, “rruga që shpie në livadh”, “Skena nga jeta e fshatit”, “Bekimi i nënës”, “Ujë i gjelbër”, “Mjegulla”, Buzëqeshja”, “Njeriu i zi”, etj, si këto.
Jusuf Gërvalla para lexuesve doli me tri vëllime të poezive “Fluturojnë e bien” (1975), “Kanjushë e verdhë” dhe “Shenjat e shenjta” (1979), si dhe një numër të madh poezish të pabotuara. (Ramiz Dërmaku, Wikipedia.org)

Sipas akademik Sabri Hamiti thuhet se “Çiltëria në shprehja, melankolia si gjendje zotëruese shpirtërorë e mërgimi si gjendje e subjektit poetik janë veçantitë e para të gjithë poezisë së Jusuf Gërvallës.. (“Jusuf Gërvalla vepra, SHB Faik Konica”, Prishtinë, 2010, f. 8)

Në poezinë e Jusuf Gërvallës shtëpia dhe nëna bëhen dy protagonistët e kësaj jete, jetës së rëndë të katundit, të një jete të braktisur, por të paharruar, edhe nga ata që shtëpitë e tyre u mbuluan u kalben ose u mbuluan nga bari. Këto dy simbole dominojnë në poezinë e Gërvallës dhe janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën dhe si të tilla paraqesin kuptimin simbolik të jetës dhe ambientit, duke përfshirë këtu edhe simbolin e botës shpirtërore të vet poetit.

Në vitrinat e verdha nga drita një natë e kam parë
mes do gjësendesh prej kashte dhe pëlhurash
rrinte pak si e shtrembëruar mbi përfytyrimin
dhe erë luleshqerrash shpërndante nëpër trotuar
njerëzit ktheheshin nga turmat e natës të lodhura
aty kishte drunjtë të vjetër dhe trungje rrëzuar
një shteg i ngushtë barin e kishte tharë me shkelje
aty e pashë time ëmë me govatë në dorë e vetmuar
shkonte e gërmuqur shtegut drejt derës së saj… (“Shtëpia në kornizë)

Derisa në dy vëllimet poetike “Fluturojnë e bien” dhe “Kanjushë e verdhë” poeti shpreh mallin, dhembjen dhe dashurinë ndaj vendlindjes (Hapat e mi sot nuk shtegtojnë nuk shtegtojnë/fjalët e mia nuk fluturojnë si zogj pikëllimi… (Shtëpia rrëzë malit), në vëllimin tjetër poetik “Shenjtat e shejta” shprehet vetmia e brendshme e poetit.

Tutje gjithnjë akull
këndej gjithnjë zjarr
unë jam syri i Aladinit
e shoh vetëm si digjem
në betejën e tmerrshme
të fjalës e të menduarit (Lufta dhe arti)

Poezia e Jusuf Gërvallës veçohet edhe me përdorimin e madh të figurave stilistike dhe në vargëzim (metrikë). Kjo poezi, konkretisht, veçohet me përdorimin e metaforave, epiteteve, anaforave, antitezave dhe pasthirrmave. Disa nga përdorimet e tilla janë: “natës së lodhshme”, “qiell i vdekur” (metafora epitete), “Tutje gjithnjë akull/ Këndej gjithnjë zjarr (antitezë), “Ka në shtëpinë time edhe mjaft dashuri të vjetër/ ka biruca të imëta tek strehohen minjtë (anafora), “O ju korba” (pasthirrma), “hapat e mi sot nuk shtegtojnë nuk shtegtojnë” (epiforë), “A është më i bukur syri yt i përgjumur a livadhi? (pyetje retorike), “a është shtrati i ëmbël trupi im i verdhë/ a dërrasë e brejtur teje flakur në bodrum/ a e ka në ballë/ fenerin e kepin e pritur/ a e ka dritë në kënde nyje të shkapërderdhura… (asonancë) etj.

Ndërsa, në anën tjetër, poeti Gërvalla gjatë vargëzimit përdor vargun e lirë, ndërsa vargu është 4, 6, 8, 9, 10, 11, 13, 16 dhe 17 rrokësh. Shumica e poezive të tij janë të vargëzuara në kolonë edhe në strofa. Strofat e përdorura në poezi janë të ndryshme , si : 3, 4., 5, 6, 8, dhe 13 vargjesh.
Sipas analizës së bërë, në poezinë e Jusuf Gërvallës, rrallë, shumë rrallë gjejmë vargje të rimuar, si në rastin “Në çatitë e kullës le të pikojë shi/ Le të vërë trashë cipa e tëmblit në kusi… (Bekimi i nënës).
Për fund. Poezia e Jusuf Gërvallës është lirikë e kulluar, e pastër dhe e çiltër, është poezi magjepse për lexuesin, është poezi shfryrjesh të sinqerta si një larje hesapesh dhe preokupimesh të thella të shpirtit të poetit. (Ramiz Dërmaku, Wikipedia.org)

Në tri vëllimet poetike të Jusuf Gërvallës, por edhe në poezitë e tjera, të botuara jashtë këtyre vëllimeve poetike në gazeta dhe revista të ndryshme brenda dhe jashtë vendi trajtohen tema dhe motive të ndryshme dhe në përgjithësi dalin të arrira artistikisht.
Gërvalla në poezinë e tij shpreh fuqishëm dashurinë, dhembjen dhe mallin për vendlindjen, shtëpinë dhe nënën, ndërsa edhe vetmia është prezentë në disa poezi të tij.

Edhe una e fundit a kallë në votër,
Po kangën ende s e kam mbarue,
Kangën për ty, vendlindje –
Burim i lotëve të mij të shkretë! (Malli për vendlindjen)

Poezia e poetit Jusuf Gërvalla veçohet edhe me gjuhën dhe stilin e përdorur gjatë vargëzimit. Ai, duke përdorur shpeshherë fjalët në kuptimin e dytë apo figurativ, vetëm sa iu jep fuqi vargjeve të tij melankolike, por të këndshme.
Megjithatë, për veprimtarinë letrare të Jusuf Gërvallës, duke përfshirë këtu edhe poezinë e tij, deri më tani, mendoj, se nuk është shkruar sa duhet. Për këtë shkrimtar atdhetar dhe liridashës kërkohet të shkruhet shumë më shumë, sepse ky është edhe obligim yni dhe i pasardhësve tanë në trojet e Arbërit.

(Vështrim i lexuar në edicionin e tridhjetë e pestë të “Flakës së janarit”, mbajtur në Pejë dhe organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve të Pejës dhe Klubi Letrar “Podguri” të Istogut)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktorja e njohur Jennifer Lawrence ka treguar se është duke…