Jusuf Thaçi: Gjykata Speciale ka për qëllim njollosjen e luftës së UÇK-së
Analisti Jusuf Thaçi i ka dhënë përkrahje “Marshit për drejtësi”, i cili do të organizohet të dielën në Prishtinë.
Thaçi ka shkruar se kushdo që është kundër keqpërdorimit të drejtësisë nga ana e politikës, duhet t’i bashkohet marshit për drejtësi.
Sipas tij, Gjykata Speciale ka për qëllim njollosjen e luftës së UÇK-së dhe ndotjen e historisë shqiptare.
“Marsho për drejtësi! 1. Gjykata Speciale është institucion politik (me mision e funksion) që e keqpërdorë shenjtërinë e drejtësisë. 2. Gjykata Speciale ka për qëllim njollosjen e luftës së UÇK-së dhe ndotjen e historisë shqiptare. 3. Gjykata Speciale po shkelë rëndë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut duke i mbajtur të akuzuarit qe mbi dy vjet në paraburgim pa e filluar procesin gjyqësor. Prandaj, kushdo që është kundër keqpërdorimit të drejtësisë nga ana e politikës, kundër njollosjes së UÇK-së dhe të historisë shqiptare, si dhe kundër shkeljes së lirive dhe të drejtave të njeriut, le t’i bashkohet marshit për drejtësi që organizohet të dielën, më 2 prill 2023, prej orës 14:00, në sheshin ‘Zahir Pajaziti’në Prishtinë”, ka shkruar Thaçi në “Facebook”.