Jusuf Thaçi largohet nga paraqitjet publike: Jam konsumuar, nuk sjelli më ndonjë dobi për publikun

24 janar 2024 | 21:04

Analisti Jusuf Thaçi ka njoftuar për largimin e tij nga skena publike.

Thaçi, i cili ishte analist në emisionin debativ “Pressing” të T7, përmes një postimi ka bërë të ditur se ka vendosur që për një periudhë të pacaktuar të tërhiqet nga paraqitjet publike në media.

Ai tha se mendon se është konsumuar për shkak të mbiprezencës së tij në debatet publike.

Tutje, ai u shpreh se përgjatë kësaj kohë ka ofruar shembull të mirë të debatit publik.

“Jam i bindur që gjatë kësaj kohe sa kam marrë pjesë në debate televizive kam ofruar shembull të mirë të debatit publik, duke debatuar bazuar në bindje personale, në parime dhe në fakte e argumente, duke respektuar bashkëbiseduesit, gjithmonë pa fyer e ofenduar askënd, pa ndërhyrje, pa zhurmë e pa shoë”, tha ai.

Postimi i tij i plotë:

Njoftim për largim nga paraqitjet publike

Pas shumë vitesh prezent në media e në debate televizive, tashmë kam vendosur që për një periudhë të pacaktuar të tërhiqem tërësisht nga paraqitjet publike në media.

Nuk e di si qëndron realiteti, por bindja ime është se, pas shumë vitesh, tashmë jam konsumuar së tepërmi dhe prezenca ime publike (shpeshherë duke u përsëritur) më nuk sjellë ndonjë dobi për publikun.

Jam i bindur që gjatë kësaj kohe sa kam marrë pjesë në debate televizive kam ofruar shembull të mirë të debatit publik, duke debatuar bazuar në bindje personale, në parime dhe në fakte e argumente, duke respektuar bashkëbiseduesit, gjithmonë pa fyer e ofenduar askënd, pa ndërhyrje, pa zhurmë e pa shoë.

Me këtë rast dua ta falënderoj jashtëzakonisht shumë Leonard Kerqukin dhe Arjeta H. Dragajn nga emisioni Pressing në televizionin T7 për bashkëpunimin shumë të mirë, për korrektësinë e treguar dhe për hapësirën televizive që më kanë dhënë gjatë gjithë këtyre viteve! Kurdo që mund të vendosi t’iu kthehem paraqitjeve publike në TV, atëherë Pressing dhe T7 do të jetë adresa e parë ku do të drejtohem.

Gjithashtu dua të falënderoj të gjithë kolegët panelistë për bashkëpunimin dhe korrektësinë, si dhe publikun që i ka përcjellë paraqitjet e mia televizive!

Jusuf Thaçi

Prishtinë, më

24 janar 2024

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 8 prill, miliona njerëz në të gjithë Amerikën e…