Juve kërkon ta rikthejë Moratën
“Gjithçka nisi shumë mirë, por tani nuk dal dot nga shtëpia. Tifozët më ofendojnë në rrugë pa e ditur se ç’kam hequr unë këto kohë”.
Kjo ishte deklarata e Alvaro Moratas, që ilustron më së miri vështirësitë që po kalon sulmuesi spanjoll me Chelsean në Angli dhe u ka dhënë edhe më shumë forcë zërave që flasin për një vendosmëri të sulmuesit për t’u larguar nga “Blutë”.
E nga kjo situatë kërkon të përfitojë Juventusi, që kërkon të rikthejë në Torino sulmuesin që e pati për dy sezone. Marrëveshja duket e vështirë, por bisedimet pritet të nisin brenda pak javësh.
Skema që mendojnë drejtuesit e Juventusit është ajo e transferimit fillimisht në formë huazimi nga Chelsea me të drejtën e riblerjes nga blutë, sikurse ndodhi me Realin e Madridit. Morata do të ishte goditja e duhur e bardhezinjëve, nga të cilët me gjasa do të largohet Mandzukiq. Por, në dyshim është edhe Dybala. Argjentinasi mund të largohet për një shumë rreth 130 milionë euro, para që do të investohen për një sulmues cilësor.