Juve kishte planifikuar zhvillimin e ndeshjes kundër Lyonit në Shqipëri
Gazeta italiane, Tuttosport, ka bërë të ditur se Juventusi e kishte shqyrtuar si opsion edhe stadiumin “Air Albania” në Tiranë të Shqipërisë gjatë diskutimeve për zhvillimin e ndeshjes kthyese të Ligës së Kampionëve kundër Lyonit.
Juventusi pësoi disfatë befasuese me rezultat 1:0 në ndeshjen e parë të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve kundër Lyonit në Francë, ndërsa do të tentojë ta përmbysë rezultatin më 17 mars në ndeshjen kthyese, për t’u kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Për shkak të përhapjes së madhe të koronavirusit në Itali, ndeshjet e Serisë A janë suspenduar deri më 3 prill, ndërsa ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës duhet të zhvillohet pa tifozë – pasi që UEFA ka bërë të ditur se do t’i respektojë vendimet e çdo shteti individual.
Megjithatë, zhvillimi i ndeshjeve pa tifozë jo vetëm që sjell humbje financiare për klubet vendase – të cilët do të kishin përfituar materialisht nga pjesëmarrja e tifozëve – por edhe ua pamundëson klubeve ta kenë epërsinë e të qenët vendas me përkrahjen e tifozëve.
Për shkak të kësaj, hierarkia e Juventusi e kishte diskutuar opsionin për ta zhvilluar ndeshjen kthyese kundër Lyonit jashtë Italisë. Fillimisht ishte propozuar që kjo ndeshje të zhvillohet në Maltë, përderisa Juventusi planifikonte t’i merrte me vete tifozët ultras. Megjithatë, Federata e Futbollit e Maltës, përmes një komunikate, ka bërë të ditur se kërkesa është refuzuar.
Pas refuzimit nga Malta, Juventusi e mendoi stadiumin “Air Albania” si opsion për ta zhvilluar ndeshjen kundër Lyonit. Megjithatë, situata alarmante në të cilën ndodhet Shqipëria, pas shfaqjes së dy rasteve të para me koronavirus të hënën, e pamundëson zhvillimin e kësaj ndeshje në “Air Albania”.