Juve mendon për Modriqin
Juventusi po punon në fshehtësi të plotë për Luka Modriqin dhe po provon gjithçka për ta afruar në Torino fituesin në fuqi të “Topit të Artë”.
Një sulm “blitz” i bardhezinjve që ka surprizuar Interin, që pikërisht në javët e fundit kishte provuar të kuptonte mundësitë reale për të transferuar në Serinë A mesfushorin kroat, të cilin zikaltrit tentuan ta rrëmbenin në verë.
Mirëpo në atë kohë nuk ishin pjekur kushtet për largimin e tij nga Reali, duke nxitur edhe irritimin e presidentit Florentino Perez, ndonëse propozimi për 10 milionë euro neto në sezon kishte gjetur mirëkuptimin e futbollistit.
Tani ka zbritur në fushë për 33-vjeçarin edhe Juventusi, që kërkon ta ribashkojë me Cristiano Ronaldon. Marrëdhëniet e mira mes bardhezinjve dhe madrilenëve, si në rastin e marrëveshjes për CR7, mund të jenë çelësi për një tjetër shtrëngim duarsh mes palëve.