Juve ndalet nga Atalanta

16 dhjetor 2020 | 21:31

Juventus bën një tjetër hap fals në kampionat, duke mos shkuar më shumë se një barazim 1-1 ndaj Atalantës. Në “Allianz Stadium”, kampionët e Italisë shfaqin sërish probleme, me Ronaldon, i cili ishte në një mbrëmje jo, duke humbur dhe një penallti. Pirlo e nisi ndeshjen me skemën e zakonshme 4-4-2, e cila transformohet në 3-5-2 në aksionet sulmuese. Nga minuta e parë u aktivizuan Morata dhe Arthur, duke bërë që Dybala ta niste nga stoli. Në minutat e para, bardhezinjtë luajnë më mirë duke krijuar një mundësi të artë në minutën e 12-të. Ronaldo ndalet nga një ndërhyrje fantastike e Gjimshitit, por më pas topi shkoi te Morata, i cili me portën e boshatisur nuk arriti që të shënonte me finte.

Në minutat në vijim ritmi është i ulët, teksa bardhezinjtë u detyruan të zëvendësonin Arthur pas një dëmtimi të rëndë. Gjithsesi goli nuk do të vononte. Në minutën e 29-të, Chiesa merr një top në hyrje të zonës dhe më pas lëshon të djathtën që përfundon në trekëndësh. Ky është gol i dytë i italianit me fanellën e Juventusit, teksa më parë ka shënuar në Champions. Atalanta reagon mjaft mirë me Zapata-n, i cili u ndal nga një pritje me këmbë e portierit Szczesny. Me këtë rezultat do të mbyllej edhe fraksioni i parë, ndërkohë që në të dytën Juventus e nis me një ritëm më të mirë në kërkim të golit të dytë.

Morata vendoset menjëherë përballë portierit, por goditja e tij do të stampohej në fytyrën e Gollinit, i cili shpëtoi për mrekulli bergamaskët. Gasperini vendos të ndërhyjë duke aktivizuar Gomez, teksa merr menjëherë merr menjëherë një përgjigje pozitive nga ekipi.  Në minutën e 57-të, pas një përgjumje të skuadrës bardhezi, Freuler shënon një gol shumë të bukur me një goditje nga distanca.

Juventus reagon menjëherë duke fituar penallti, teksa Chiesa pengohet në zonë. Gjithsesi nga pika e bardhë Ronaldo nuk arriti që të mposht Gollinin, i cili ishte në një mbrëmje fantastike, duke bërë më pas edhe një tjetër pritje të bukur ndaj Moratës.  Në minutat e fundit bardhezinjtë shtuan presionin në kërkim të golit të avantazhit, por do të hasnin vështirësi për të gjetur hapësira në zonën e bergamaskëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka folur për propozimin…