Juve synon të korrigjohet dhe kualifikohet në “Wembley”

07 mars 2018 | 13:16

Akti i dytë i përballjes së 1/8-ve në Ligën e Kampionëve në mes të Tottenham Hotspurit dhe Juventusit do të zhvillohet mbrëmjen e së mërkurës në “Wembley”.

Anglezët janë favoritë për t’u kualifikuar, pasi italianët shpërdoruan një avantazh prej dy golash në takimin e parë në Torino, i cili u mbyll në barazim 2-2. “Nëse ne e luajmë lojën tonë, do të fitojmë. Ata kanë një avantazh të vogël, kanë shënuar dy herë në stadiumin tonë dhe kjo do të thotë diçka. Por, ende çdo gjë është e hapur dhe ata e dinë gjithashtu. Duhet të përgatitemi tani. Nga ndeshja e parë kemi mësuar më shumë gjëra rreth tyre. Udhëtojmë në Londër të balancuar, pa slogane. Ajo gjithmonë ka qenë forca jonë”, ka thënë mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini.

Dy gola të Gonzalo Higuain ndihmuan “Zonjën e Vjetër” të shkonte në 2-0 kundër anglezëve në 10 minutat e para të ndeshjes, por disa gabime në mbrojtje kanë ndihmuar Harry Kane me shokë të realizojnë 2 gola shumë të rëndësishëm në transfertë. Gjithsesi, të dyja ekipet do të paraqiten në formë të mirë në këtë takim. Tottenhami ka mundur 2-0 Huddersfieldin fundjavën e kaluar dhe ka çuar në 17 numrin e ndeshjeve të njëpasnjëshme të luajtura në të gjitha kompeticionet pa pësuar humbje. Për më tepër, ata kanë fituar shtatë takime radhazi në shtëpi dhe kanë pësuar vetëm një gol në këto takime.

Juventusi, nga ana tjetër, ka pasur një ndeshje të vështirë kundër Lazios, por bardhezinjtë kanë arritur t’i marrin tri pikët në minutën e fundit të ndeshjes falë një goli të Paulo Dybalas. Falë këtij rezultati, skuadra e Allegrit ka shkuar 1 pikë larg Napolit kryesues dhe ka një ndeshje për ta rikuperuar. Ata janë të pamposhtur në 20 ndeshjet e fundit, 17 prej të cilave kanë qenë fitore. Gjithashtu, ata kanë fituar 10 ndeshjet e fundit të luajtura në transfertë dhe kanë pësuar vetëm 1 gol në këto sfida.

Në anën tjetër, mesfushori i Tottenham Hotspurit, Dele Alli, ka shprehur mendimin se, pavarësisht prej rezultatit nga pjesa e parë, asgjë nuk ka përfunduar. “Nuk ka përfunduar ende asgjë. E di se kundërshtarët tanë kanë shumë kualitete dhe mund të jenë të rrezikshëm në çdo moment. Kjo është Liga e Kampionëve, kundërshtarët janë të rrezikshëm edhe kur ti e ke topin. Nëse ne e kemi topin, duhet të mundohemi ta mbajmë dhe të qëndrojmë të fokusuar”, ka deklaruar Dele Alli. Ndeshja tjetër që zhvillohet sonte është në mes të Manchester Cityt dhe Bazelit.

 

Të mërkurën takohen:

Tottenham Juventus      (2-2)
Manchester City-Bazel   (4-0)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
  Mesfushori i Jiangsu Suning, Ramires, ka thënë se dëshiron…