Juventus-Napoli, në Torino luhet për titullin
Shumë pak ndeshje janë aq të rëndësishme sa ajo që do të luhet mbrëmjen e së dielës në “Allianz Stadium” mes Juventus dhe Napolit.
“Bardhezinjtë” janë në kërkim të titullit të shtatë radhazi në Serie A dhe ka një avantazh prej katër pikësh në renditje ndaj Napolit, që do të kërkojë të ngushtojë diferencat në 1 pikë, raporton “Telesport”. Një fitore e miqve do të rriste presionin ndaj kampionëve në fuqi, ndërsa humbja e tyre do t’i dhuronte trajnerit Allegri titullin e tij të katërt radhazi pas katër sezonesh në drejtim të torinezëve.
FAKTORI “ALLIANZ” – Juventus pati një ndalesë të papritur në mesjavë, duke barazuar 1-1 në fushën e Crotone-s. Ky rezultat ka ndihmuar Napoli-n të shkojë katër pikë larg bardhezinjve. Megjithatë, duke parë se Juventus ka pësuar vetëm një humbje në shtëpi që nga tetori i 2015-ës, është shumë e vështirë që kampionët në fuqi të bien në shtëpinë e tyre. Nga ana tjetër, Napoli nuk ka pësuar asnjë humbje në ndeshjet e kampionatit që ka luajtur në transfertë prej 18 muajsh. Me 12 fitore dhe katër barazime të marra në transfertat e këtij kampionat, vendasit do ta kenë shumë të vështirë të gjunjëzojnë miqtë.
MBROJTJA – Pika më e fortë e këtyre dy ekipeve është mbrojtja, me Napoli-n që ka pësuar vetëm një gol në pesë ndeshjet e kampionatit që ka luajtur në fushat e ekipeve të pozicionuara mes shtatë të parëve në renditje. Ata kanë pësuar 0.5 gola për ndeshje në transfertë, duke e mbajtur rrjetën e portës të paprekur në 62% të takimeve të luajtura larg shtëpisë. Pavarësisht nga kjo, Juventus ka mbrojtjen më të mirë të kampionatit, me vetëm 5 gola të pësuar në ndeshjet e këtij sezoni që ka luajtur në shtëpi.
“PIPITA” -Kjo do të jetë ndeshja numër 100 e Gonzalo Higuain me fanellën e Juventus. Ai ka shënuar 54 gola me bardhezinjtë, pesë prej të cilave kanë ardhur kundër Napoli-t. Duke parë se kjo ndeshje pritet të jetë shumë e luftuar dhe e ekuilibruar, vendasit do të mbështeten tek argjentinasi për të gjetur rrugën e golit. Edhe pse ai ka shënuar gol në katër nga pesë ndeshjet e luajtura kundër Napoli-t, ish-skuadra e tij.
Shifra dhe fakte
– Juventus nuk ka pësuar humbje në katër ndeshjet e fundit që ka luajtur në shtëpi kundër Napoli-t.
– Pas 10 ndeshjesh radhazi pa pësuar gol në kampionat, Juventus kanë pësuar gol në tri nga katër ndeshjet e fundit.
– Napoli është i pamposhtur në 29 ndeshjet e fundit të kampionatit që ka luajtur në transfertë (23 fitore, 6 barazime): humbja e tyre e fundit larg shtëpisë ka qenë në tetor të 2016-ës.
– Napoli është skuadra e Serisë A që ka grumbulluar më shumë pikë (28) në ndeshjet që ka qenë në disavantazh.
– Dries Mertens nuk ka shënuar gol në shtatë ndeshjet e fundit të luajtura kundër Juventus: goli i tij i vetëm kundër bardhezinjve ka qenë në marsin e 2014-ës.