Juventusi arrin marrëveshje në parim me Thiago Mottan
Juventusi është thënë se ka arritur marrëveshje në parim me trajnerin e Bolognas Thiago Motta.
“Calciomercato” ka raportuar se “Zonja e Vjetër” e ka gjetur zëvendësuesin e Max Allegrit dhe që gjithçka është kryer me Mottan, që ka mahnitur të gjithë këtë sezon te Bologna.
Allegri ka edhe një vit të mbetur në kontratë mirëpo në rast që s’ndodh një ‘mrekulli’ e momenteve të fundit, tekniku italian do të largohet sapo të përfundojë ky sezon.
Gazeta italiane nuk ka dhënë ndonjë detaj lidhur me marrëveshjen mes “Bianconerëve” dhe Mottas, por insiston se dy palët kanë shtrënguar duart.
Kontrata e Mottas me Bolognan skadon në fundin e sezonit dhe ish futbollisti italian e ka refuzuar rinovimin e kontratës.
Motta ka bërë mrekullinë me Bolognan këtë sezon duke zënë pozitën e katërt në tabelë, vetëm dy pikë prapa Juventusit.
Përndryshe, Juventus ka vepruar shpejtë për të siguruar shërbimet e trajnerit shkaku i interesimit edhe nga Manchester Unitedi.