Juventusi dhe Interi ndahen baras në gjysmëfinalen e parë të Kupës
Juventus dhe Inter kanë barazuar 1-1 në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Italisë. Dueli i luajtur në “Allianz Stadium” do të dhuronte shumë emocione. Në 45 minutat e para të dyja skuadrat do të kujdeseshin më shumë për të studiuar lojën e njëra-tjetrës, me shumë pak dalje në aksione të rrjedhshme sulmuese.
Në pjesën e dytë, skuadra e Allegrit është më e rrezikshme dhe hidhet e gjitha në kërkim të golit. Vlahovic dhe Milik krijuan dy shanse të mira, ndërkohë që në krahun tjetër Lautaro është rreziku më i madh me shpejtësinë e tij.
Inzaghi aktivizoi në minutat e fundit edhe Asllanin, edhe pse pritej që mesfushori shqiptar ta niste si titullar. 7 minuta nga fundi Juan Cuadrado do të përfitonte nga një vendosje e gabuar e mbrojtjes zikaltër për të kaluar bardhezinjtë në avantazh. Në fundin e shtesës së ndeshjes, Bremer gabon duke prekur topin me dorë. Nga pika e bardhë Lukaku do të shënonte duke mposhtur Perin.