Juventusi fitore bindëse ndaj Sassolos
Juventusi është rikthyer te fitorja në momentin më të rëndësishëm, teksa pas triumfit të sotëm ndaj Sassuolos ka çuar diferencën me Napolin në +11 pikë. 0-3, ishin shifrat në përfundim të takimit, ku Khedira, Ronaldo e Emre Can zgjidhën ndeshjen për të besuarit e Allegrit.
Fillimisht, ishte Khedira, i cili shënoi në gjysmën e pjesës së parë, konkretisht në minutën e 23-të. Gjermani u tregua i vëmendshëm, duke përfituar nga një pasiguri e Konsilit, i cili pasi ndaloi tentativën e Ronaldos, pa topin në rrjetë pas goditjes së Khedirës.
Në fraksionin e dytë, Juventus nuk e uli ritmin dhe në minutën e 70-të ishte i zakonshmi Cristiano Ronaldo, i cili shënoi golin e dytë të sfidës dhe të 18-tin personal në Serie A. Portugezi kërceu mbi të gjithë në zonë pas një goditje nga këndi, duke çuar topin në rrjetë për herë të dytë.
Ndërkohë, në fund të takimit festë pati dhe për Emre Can, i cili pas një pasimi të Ronaldos, shënoi bukur nga një pozicion diagonal, duke mbyllur ndeshjen me shifrat 0-3. Javën e ardhshme, “Zonja e vjetër” pret në shtëpi Frosinonen.