Juventusi “gjunjëzon” Milanin
Juventus ka vuajtur, por në fund ka mposhtur edhe Milan-in. Super ndeshja e luajtur mbrëmjen e sotme në “Allianz Stadium” është fituar 3-1 nga bardhezinjtë e Allegrit, të cilët kanë shkuar katër pikë larg Napolit në renditje dhe kanë hedhur një hap të rëndësishëm drejt titullit të shtatë radhazi në Serie A. Milan është ndalur pas pesë fitoresh radhazi dhe tani ndodhet tetë pikë larg vendit të katërt.
Ndeshja ka filluar keq për Milan-in, që e ka parë vetën në disavantazh pas tetë minutash lojë. Mbrojtja kuqezi dhe portieri Donnarumma janë kapur në befasi nga një gjuajtje nga distanca e Paulo Dybala. Ka qenë një goditje më shumë e saktë se sa e fortë, ndaj së cilës portieri i kuqezinjve nuk ka pasur mundësi të bëjë asgjë.
Miqtë kanë reaguar dhe kanë shkuar shumë afër golit të barazimit në minutën e 16-të, kur Calhanoglu ka dhënë një kros të saktë në zonë për Andre Silva, goditja me kokë e të cilit ka përfunduar për pak jashtë. Ka ndodhur e kundërta në minutën e 28-të, kur Milan ka barazuar me një goditje me kokë, por këtë herë autori ka qenë Leonardo Bonucci, ish-mbrojtësi i Juventus, raporton “Telesport”.
Kuqeziu i ka marrë kohën mbrojtjes vendase, ka mposhtur Buffon dhe nuk ka ngurruar të festojë para ish-publikut të tij. Ky ka qenë goli i parë i pësuar nga bardhezinjtë në kampionat pas 959 minutash. Ndeshja ka qenë e luftuar dhe e ekuilibruar edhe në pjesën e dytë, me Milan që ka shkuar afër golit të dytë në minutën e 55-të me Calhanoglu, goditja e të cilit është ndalur nga traversa. Topi ka shkuar në këmbët e Suso, i cili ka kërkuar menjëherë portën, por është ndalur nga Buffon.
Goditja për kuqezinjtë ka ardhur në minutën e 79-të, kur Cuadrado ka realizuar golin e dytë për Juventus, teksa Khedira ka fiksuar shifrat në 3-1 tetë minuta më mbrapa, duke i dhuruar Juventusit një fitore që mund të ketë vlerën e titullit.