Juventusi konfirmon lëndimin e Dybalas
Juventusi ka konfirmuar se Paulo Dybala ka pësuar një dëmtim në muskulin e epërm të këmbës së djathtë dhe diagnoza e tij do të vlerësohet “në ditët e ardhshme”.
Sulmuesi argjentinas ishte larguar nga ndeshja duke shtrënguar këmbën e tij pas një sprinti në fitoren e natës së kaluar në Cagliari dhe dukej sikur po qante duke u larguar nga fusha.
Këtë mëngjes është raportuar se ai do të jetë jashtë për një muaj dhe bardhezinjtë tani kanë dhënë një përditësim për gjendjen e tij.
“Lojtari iu nënshtrua një skanimi MRI këtë mëngjes. Skanimi tregoi një tërheqje të muskulit të epërm të kofshës e cila mund të përcaktohet si lëndim i shkallës së butë apo të mesëm. Lojtari do të fillojë menjëherë kujdesin rehabilitues dhe diagnoza e tij do të vlerësohet më mirë në ditët në vijim”, ka njoftuar Juventusi.
Gjithashtu Juventusi ka raportuar edhe për lëndimet e dy lojtarëve tjerë, mbrojtësit Giorgio Chiellini dhe mesfushori Sami Khedira.