Juventusi turpëron Milanin në finale të Kupës
Skuadra e Juventusit e ka turpëruar Milanin në finalen e Kupës së Italisë, duke e mposhtur me rezultat 4-0.
“Zonja e Vjetër” e fitoi për herë të katërt radhazi Kupën e Italisë. Ndeshja ishte me një ritëm të lartë dhe ishte Milani që mori iniciativën në minutat e para të ndeshjes duke krijuar disa mundësi të mira, por që u tregua i pasaktë përpara portës së Buffonit.
Juventus nuk shfaq rrezikshmëri në portën e Donnarummas në asnjë moment të pjesës së parë, por pas pushimit ndryshon gjithçka. Duhej një goditje këndi që Benatia e shfrytëzon në mënyrë të përsosur për të zhbllokuar rezultatin dhe Juventus.
Më pas ishin dy gabime trashanike të një portieri që fiton 6 milionë euro në sezon, njëherë ai gabon në golin e Douglas Costa dhe herën e dytë te goli i Benatia, i cili shënoi një dopietë sikur të ishte një qendërsulmues ditën e sotme.
Në minutën e 76’ vuloset turpi historik i Milan teksa Kaliniq, i cili ishte futur në pjesën e dytë, shënon në portën e tij me kokë pas një goditje këndi. Kaq mjaftonte për Juventus dhe kjo ndeshje do të mbahet mend gjatë nga tifozët torinezë pasi ka ardhur ndaj një rivali historik me një rezultat të pabesueshëm.