Ka filluar rregullimi i rrugëve edhe në lagjet e Rashanit në Mitrovicë
Drejtoria e Infrastrukturës dhe Shërbimeve Publike në Mitrovicë ka shtuar intensitetin e punëve në rregullimin e infrastrukturës rrugore në këtë komunë.
Përveç projekteve në realizim e sipër për asfaltimin dhe kubëzimin e rrugëve, që kanë filluar më parë e që janë dhjetëra sosh, këto ditë kanë filluar edhe projekte të tjera të ndërtimit të rrugëve nëpër fshatra.
Drejtori i kësaj drejtorie, Naser Muja, ka inspektuar punimet në hapjen dhe ndërtimin e rrugëve nëpër lagjet e shkapërderdhura të Rashanit, që është duke i kryer Kompania “Haxha Com”.
Në lagjet Sumiqi dhe Smakolli, drejtori Muja u ka thënë banorëve se komuna është duke bërë përpjekje që të hapin dhe ndërtojnë rrugët e lagjeve në Rashan, me qëllim që ata të kenë qasje në rrugën kryesore të asfaltuar që lidhe fshatin e tyre me Mitrovicën përmes Stantërgut dhe me Vushtrrinë përmes Pasomës e Smrekonicës dhe në këtë mënyrë ta kenë më të lehtë jetën që bëjnë aty.
Banorët e lagjeve Sumiqi dhe Smakolli, falënderuan drejtorin Muja për rregullimin e disa kilometrave të rrugëve të lagjeve të fshatit, duke thënë se tani e tutje do ta kenë më lehtë të komunikojnë me Mitrovicën e Vushtrrinë dhe të bëjnë jetë më të mirë e më të pa brenga.
Drejtoria e Infrastrukturës dhe Shërbimeve Publike, ka filluar edhe rregullimin e rrugës për në fshatin Cërnushë.
/Epoka e re/